Po rritet në mënyrë dramatike përdorimi i antibiotikëve

Ekspertët ndërkombëtarë të Shëndetit Publik kanë ngritur alarmin në lidhje me rritjen dramatike të përdorimit të antibiotikëve.

Sipas të dhënave të National Library of Medicine, çdo 10 minuta në botë përdoren rreth 2 tonë antibiotikë në shumicën e rasteve pa rekomandimin e mjekut.

Antibiotikët pa rekomandim janë një fenomen shumë i përhapur në Shqipëri, ku shpesh ato merren direkt nga farmacia pa recetë.

Sipas zyrës së OBSH në Shqipëri, në vendin tonë është rritur rezistenca ndjaj antibiotikëve, gjë që sjell problematikë të madhe shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu ka  deklaruar se përgjatë vitit 2018 do të bëhet monitorimi i të gjithë rrjetit të farmacive. Ky monitorim do të bëhet për të ndaluar dhënien e medikamenteve pa recetë.

Mjekët në të gjithë botën kanë bërë thirrje për një kufizim të qartë në konsumin e këtyre medikamenteve.

Një ekip ndërkombëtar ekspertësh zbuloi pak kohë më parë se nga viti 2000 deri në 2015, përdorimi i antibiotikëve u rrit me 65 përqind.

Zbulimi u bë nëpërmjet të dhënave krahasimore të përdorimit të antibiotikëve në 76 vendeve të ndryshme të botës.

Vendet që konsumojnë më shumë antibiotikë

Rritja e përdorimit të antibiotikëve është nxitur nga vendet e varfëra, thuhet në studimin e Qendrës për Ekonominë, Politikat dhe Dinamikat e Sëmundjeve.

Megjithatë, janë pikërisht vendet e pasura të cilat konsumojnë dyfishin e antibiotikëve në krahasim me vendet e varfëra.

Turqia, është vendi me konsumin më të lartë të antibiotikëve. Në këtë vend, rezistenca e baktereve ndaj antibiotikëve është kthyer në një shqetësim madhor.

Por edhe Shqipëria nuk mbetet pas.

Rreziku i tejpërdorimit të antibiotikëve është i lartë

Sipas të dhënave ekspertët mjekësorë po përballen me një valë të rrezikshme infeksionesh që u rezistojnë antibiotikëve.

Viruset që u rezistojnë antibiotikëve u marrin jetën të paktën 500,000 njerëzve në vit në mbarë botën.

Nëse nuk mbahen nën kontroll, këto sëmundje mund të përshkallëzohen në nivele të frikshme.

Pasojat e rezistencës ndaj antibiotikëve

Sistemi mjekësor është i bazuar tek antibiotikët. Nëse bakteret bëhen më rezistente, pra antibiotikët nuk bëjnë efekt, atëherë njerëzimi do ta pësojë keqazi. Më e keqja është se nëse kjo ndodh, mjekësia nuk ka ç’bën më.

Kjo nënvizon rëndësinë e një rishqyrtimi radikal për të frenuar përdorimin e antibiotikëve, për të investuar më shumë në higjenë dhe vaksinim në vendet ku përdorimi i antibiotikëve është më i lartë.