Nga Xheladin MJEKU – Kosovë
Sa herë përmendej emri i përveçëm i kontinentit të dritës,
Rridhte lëngëzim shpirti ta prekim me shqisat e dashurisë.
Shpërfaqeshin ëndrrat e besimit se një ditë do ta kemi fatin
Ta mbushim krahërorin me aromën e asaj fryme të re.
Dy gishta VIKTORIA lartësohen si krah shqiponje në flatrim
Dhe shpërndajnë rreze ardhmërie deri në kuptimin e lirisë.
Atëbotë kjo ishte ëndrra dhe zhgjëndrra e atdheut tim të plagosur
Që kurrizi gjak i rridhte prej shekujve të harresës
Në adhurim.
Herë Tokë e premtuar, herë Ëndërr që nuk përjetohet!
Mbetej sall dëshirë e paprekur me shqisat e vetëflijimit,
Për kaq epoka breznish të strukura nën hijen e durimit.
Se do të vijnë kohëra tjera e moti do të vezulloj dritë diellore,
Larg siluetave të kafshimit ogurzezë.
Derisa ne prisnim, prisnim, prisnim…
Zgjidhjen e Nyesë së Gordiut,
Fatkobët.
A me(rr)ika tutje, përtej Atlantikut,
Të kaptonim zenitin e planetit
Për një fat të mirë që na sillej vërdallë në mendjen tonë.
Dy ishin dilemat që na mbanin esull për ta besur guximin,
Më mirë ishte ikja për një çlirim shpirti në delir,
Se mbyllja në kafazin e frikës që nuk kishte mbarim!
Ika,
A (Merr) ika,
Ame(rr)ika,
Kah A m e r i k a.
Ekuacion i pazbërthyeshëm jetik,
Që në mendje gjithmonë e kishim,
Fat i bashkëdyzuar në guxim dhe frikë.
Ishte çështje hamletiane që sillej vërdallë,
Shekujve të brishtë
Dhe na ktheu kujtesën në pikën zero,
Aty ku fillimi ishte nisja,
Ishtë besimi i një dite që po vie,
Krah nesh,
Amerika!