Rruga e Kombit, taksa e patriotizmit për kosovarët

Nga Sulejman MATO

Pas vërshimit të njëpasnjëshëm të taksave shtetërore dhe lokale, ja edhe një taksë tjetër, e cila vjen si një rrufe në mot të kthjellët, taksa e Rrugës së Kombit. Dhe nuk është pak, nuk është as 10 euro, ashtu siç flitet, është plot 22,5 euro. Pra, tani e tutje, për një biznesmen, turist, ose qytetar që kërkon të vizitojë të afërmit e vet, çdo person duhet të paguajë një taksë të kripur për të lëvizur midis tyre… Një miku im para disa ditësh më tregoi se si mund të shkoja të vizitoj Parisin nga Prishtina për 35 euro… U çudita. Mos u çudit – më tha – dhe nuk do ta bësh me veturë, por me avion. Prishtinë- Paris me avion vajtje 35 euro, vajtje- ardhje 70 euro. U çudita, por edhe u gëzova, duke menduar që sa larg është Parisi, kryeqyteti i Europës e që unë ende nuk kam mundur ta shoh Parisin dhe sa afër të duket kur pagesa vajte-ardhje ishte vetëm 70 euro.

Lajmi i djeshëm në shtyp për krijimin e një takse të re rrugore, kinse vetëm 10 euro vajtje-ardhje për në Kosovë, më çuditi pa masë, pasi vinte në kohën e afrimit të pushimeve verore. Mendova se si do ta presin këtë taksë të re qindra e mijëra kosovarë, që kanë bërë planifikim për t’i kaluar pushimet verore në Shqipërinë mëmë… Në fakt, kjo taksë vihet vetëm për kosovarët, dhe quajeni si të doni, në doni quajeni taksë patriotizmi për kosovarët e varfër, në doni quajeni taksë e re serbe për kosovarët që dëshirojnë të vizitojnë atdheun mëmë, quajeni si të doni, në fakt ajo është një taksë e re, e cila u kërkon shqiptarëve që të shtrëngojnë rripat, nëse duan të takojnë njëri-tjetrin. Kjo taksë do të rëndojë mbi kurrizin e shqiptarëve, që kërkojnë të lëvizin lirisht në të dyja anët e kufirit. Pa mendoni pak se çfarë takse, edhe më e lartë bëhet kjo për kuksianët dhe prizrenasit, që bëjnë tregti me Kosovën dhe kanë vajtje ardhje të shumta. Pa mendoni se çfarë takse është kjo për një prizrenas, apo pejas, të cilët për një orë  përfundojnë në Kukës. Përse ata duhet të paguajnë dhe 10-euroshin dhe 2.5 euro, dhe naftën ose benzinën dhe taksën e qarkullimit. Dhe kjo taksë shtohet në kohën kur flitet për bashkim ekonomik e kulturor  të shqiptarëve, për zgjedhjen e një presidenti të vetëm  për të dyja shtetet, për heqjen e vizave të kosovarëve me Europën, ndërkohë që kjo taksë e re mund të quhet për kosovarët dhe shqiptarët si një taksë vize, të paguash vizën për çdo hyrje-dalje.

Zotërinj të dashur, shqiptarët e të dyja anëve të kufirit e kanë paguar këtë bashkim me gjakun e tyre shekullor… Tani që erdhi demokracia dhe lëvizja e lirë, u gjendkan të tjera forma djallëzore për ta penguar lëvizjen e lirë të shqiptarëve… U vihet një taksë e re, të cilën nuk e kanë as shtetet tona fqinje, një taksë që të mos kuptohet, një taksë, kinse për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit… të asaj rruge që është paguar me gjak nga shqiptarët… Ta marrësh dhe ta interpretosh këtë taksë nga të gjitha anët, madje edhe nga pikëpamja ligjore, ajo nuk qëndron. Është absurde, nuk mund të vendoset një taksë e re mbi një rrugë të papërfunduar. Duhet të dini që janë ende gjashtë ura të parealizuara dhe është një segment i gjatë rruge që fillon në Rrëshen, i cili ka mbetur vetëm me një korsi…

Rrugët, miqtë e mi, tatohen mbasi përfundohen. Përfundojeni një herë këtë rrugë, pastaj tatojeni… Një zonjë që foli në emisionin e mëngjesit te “News 24”,  dukej që ishte socialiste pasi ia hidhte fajin LSI-së, bënte krahasime me taksat që paguhen në rrugët e Greqisë. Mirë moj zonjë, por Greqia i ka ngritur këto rrugë duke i dhënë me koncesione dhe koncesioreri sigurisht, do të nxjerrë paret e veta dhe përfitimet e veta, ndërsa Rruga jonë e Kombit nuk është bërë me investime koncesionare, por me paret tona, të taksapaguesve dhe mbi të gjitha është një rrugë e shenjtë për shqiptarët, ndaj dhe quhet krenarisht Rruga e Kombit. Po të bëjmë edhe pak histori, kjo rrugë nuk do të ishte bërë kurrë, po të mos ishte iniciativa e Partisë Demokratike e atyre viteve. U përfol shumë dhe vazhdon të përflitet për vjedhje në shuma të mëdha, ndërkohë që firma amerikane që e fitoi tenderin ia kaloi me nënkontraktor një firme turke, kështu që paratë e vjedhura kërkojini në bilancet e bëra midis dy firmave të mëdha dhe mos ua kërkoni qeveritarëve shqiptarë.

Është e vërtetë edhe ajo që pushtetarët shqiptarë për çdo punë që bëhet në Shqipëri nga firmat e huaja marrin bakshishe, por bakshishet quhen bakshishe dhe vjedhjet quhen vjedhje, janë të ndara këto lloj dy përfitimesh. Pushtetarët shqiptarë kanë marrë dhe do  vazhdojnë të marrin bakshishe, ua them unë, dhe në këtë mes, edhe në firmosjen koncesionare të kësaj taksës të re dikush prej pushtetarëve e ka marrë ose do ta marrë bakshishin… Kjo nuk ka nevojë për koment. Merrni bakshishe zotërinj pushtetarë, se pushtetin për të pasuruar ju vetë në radhë të parë e keni marrë, por kur vjen fjala për bashkimin e shqiptarëve, kur vjen fjala për këtë rrugë të shenjtë të shqiptarëve, e cila u krijua me mundim, bëhuni pak edhe ju shqiptarë, mendoni si shqiptarë dhe thojini ‘jo’ kësaj takse të re, e cila merr një kuptim simbolik, simbolizon ndarjen ose bashkimin e shqiptarëve, simbolizon ëndrrën shekullore për bashkim dhe lëvizje të lirë…

Unë kam ëndërruar gjithmonë që të realizohej linja hekurudhore Tiranë-Prishtinë. Unë e kam pritur atë çast kur shqiptarët do të udhëtojnë drejt njëri-tjetrit në mënyrë edhe më komode. Sikur të ishte fjala për të dhënë kontribut për investime në rrugën hekurudhore që do të lidhte Tiranën me Prishtinën, unë do të isha i pari që do të kontribuoja në këtë drejtim… Mirëpo, me sa dëgjojmë, pushteti i parasë po bën të kundërtën. Rrugën hekurudhore e ka harruar, rrugën tjetër Tiranë-Shkup e ka hedhur në kalendra, ndërkohë që ja, si një rrufe në mot të kthjellët vjen dhe taksa më e re, të cilën unë do ta quaja me plot të drejtë taksa e patriotizmit të kosovarëve.