RRUGA “LLESH ZEF DOÇI” NË LAGJEN “LURA” TË KAMZËS

Nga Nikollë LOKA

Në vijimësinë e natyrshme të jetës dyert e mëdha nxjerrin individë të shquar, të cilët mbajnë peshën kryesore në ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave dhe traditave familjare dhe krahinore në brezat që vijnë. Gjatë udhëtimit nëpër histori, burra të tillë nuk i kanë munguar kurrë fisit Doçi në krahinën e Lurës, ku në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, spikati Llesh Zef Doçi.

Ka një lidhje të pandarë midis fisit të Doçit dhe krahinës së Lurës. Lura me në krye Doçin kapërceu nëpër tallaze historike dhe mundi të jetojë e lirë, pavarësisht vështirësive ndër vite dhe shekuj.

Doçi përmendet së pari në dokumentet historike, si i parë i Lurës, në vitin 1580. Kuvendi i Dardhës, Reçit, Lurës dhe Çidhnës, i mbajtur këtë vit, i udhëhequr nga Gjon Boça, Kolë Tartari, Kolë Bojka, të parët e Reçit dhe Doçi i Lurës, si dhe pleqtë e Çidhnës, duke mos dashur shtypjen dhe shfrytëzimin e sundimit osman vendosën: “ Në ato vise të mos vendosej ushtria turke; nuk u nënshtrohemi taksave dhe detyrimeve; qeverisjen e vendit do ta bëjmë vetë në bazë të Kanunit dhe zakoneve tona; nuk japim ushtarë. Pas këtij kuvendi dëbohen forcat turke dhe fillon kryengritja e armatosur, e cila mori zgjerim deri në Arën.

Relacionet e klerikëve të ndryshëm njëri pas tjetrit e japin Lurën krahinë të panënshtruar që mbrohej në fortesat natyrore të maleve të veta me forcën e armëve. Historia flet përmes luftërave të shpeshta, që vazhduan prej vitit 1467 dhe deri në vitin 1714, për 240 vjet Lura me në krye Doçin u bëri ballë sulmeve të ushtrisë osmane dhe qe e fundit nga krahinat e vetëqeverisura që hyri në marrëveshje me autoritetet osmane.

Në atë rezistencë të lavdishme të Lurës si kurorë lavdie qëndron lufta e 300 duvakëve.

Ka dal fjala n’at Krahinë,
pregatit nji pashë ushtrinë,
thonë si dallga asht t’u msye,
s’e ha fjalën, as arsyen.
Nji fjalë Lurës ia ka çue,
treqind nuse un t’i due,
për treqind kalorst e mi,
ma të zgjedhun osmanlli.
Treqind nuse me duvak,
n’dash me pshtue pa u la me gjak,
terrsojn malet tym e mjegull,
por jo Lura në çdo shekull.
Janë mbledh burrat si t’ia bajmë,
kët kuvend me nder ta lamë,
pa u shemb malet aq sa janë,
s’kemi cuca për sulltanë.
Jan betue e kan thanë,
treqind djem të çohen n’kamë,
treqind djem, treqind duvakë,
shpata nxjerrun zjarr e flakë.
Treqind djem kalorës të zgjedhun,
aman zot ku i paske gjetun,
t’gjith kalorsit zabtllarë,
për sulltanin garda e parë.
Me t’prit pashë të dolëm para,
treqind nuse si qe fjala,
treqind nuse, treqind shpata,
me har pashë kështu i pata.
Mos harro more sulltan,
se n’Shqypni për dhandërr s’ban,
se prej Lure ke nji fjalë,
cuca n’luftë i bahet djalë.

Dera e Doçit nxori burra të shquar brez pas brezi si: Llesh Nikollë Doçi, Kolë Bush Doçi, Bibë Kolë Doçi, Stafë Doçi, Zef Doçi, Gjon Doçi, Llesh Doçi, etj. Burrat e Doçit nuk e kursyen jetën e tyre nëpër lufëra të ndryshme. Përmendim Doç Gjergj Doçin që e ka varrin në Malin e Zi, Nikollë Doçi, Keq Doçi, që u vranë në luftë për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë; Llesh Doçi (stërgjyshi i Llesh Zef Doçit) që u masakrua me sholët e tij nga serbët në Mërkurth, Kolë Bibë Doçi, që u masakrua nga austriakët, Zyber Doçi që vdiq në burg në Malin e Zi dhe deri në kohët e fundit me Heroin e Popullit, Gjokë Doçin. Kjo histori e madhe e shkruar me lavdinë e disa brezave e bënte shumë krenar Lleshin.

Si njeri i shkolluar, Llesh Zef Doçi u përfshi në kontigjentet e para që do të shërbenin si mësues. Në tetor të vitit 1946 vazhdoi kursin pedagogjik gjashtëmujor që e përfundoi në marsin e vitit tjetër. Në fund të kursit dha provim dhe filloi menjëherë nga puna në shkollën fillore të Lajthizës. Lleshi qëndroi pak kohë mësues dhe në fshatin e tij, ndoshta vetëm në vitin 1951. Në vitin 1952, sapo pranohet antar partie, kur ishte vetëm 25 vjeç bëri një kurs gjashtëmujor për kuadër pushteti në Tiranë, pas të cilit u emërua kryetar i Lokalitetit në Lurë. Lleshi qëndroi kryetar lokaliteti në Lurë nga nëntori i vitit 1952 deri në shtator të vitit 1953. Pastaj transferohet në detyrën e sekretarit të lokalitetit të Klenjës, por nuk e filloi atë detyrë, pasi, ndoshta për nevoja pune, emërohet drejtor shkolle në Brezhdan, ku punoi vetëm dy muaj, sepse shkoi në shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Në nëntor të vitit 1953 mobilizohet dhe dërgohet në shkollën e Instruksionit të Korçës.Në atë kohë nevojat për oficerë aktivë ishin të mëdha, prandaj Ministria e Mbrojtjes lëshoi një urdhër për të plotësuar kontigjentet në Shkollën e Lartë të Oficerëve. Lleshi ishte njëri nga ata që shprehu dëshirën për të vazhduar studimet për oficer. Rezulatet e tij në mësime kishin qenë të larta. Lleshi do të kishte ecur shumë përpara, po qe se do të kishte patur mundësi ta vazhdonte karrierën ushtarake. Përjashtimi i Lleshit nga Shkolla e Bashkuar është bërë pas pothuajse dy vite shkollimi, pas një letre anonime, sipas të cilës akuzohej se vinte nga një familje “me qëndrim jo të mirë politik”.

Në mars të vitit 1959, teksa punonte si punëtor atje, nëpërmjet Komitetit të Partisë së rrethit të Dibrës i vjen njoftimi i Drejtorisë së Kontrollit të Komitetit Qendror të Partisë, sipas të cilit përjashtimi i tij nga partia dhe nga shkolla kishte qenë i padrejtë, prandaj i jepet sërish e drejta për t’u pranuar në parti dhe e drejta për nëpunës
Emërohet kryetar lokaliteti në Kastriot, ku u mbështet në traditat e mira të zonës dhe në kuadrot e njohur të këtij Lokaliteti që e ndihmuan të kryejë mjaft mirë detyrën. Në vitin 1965, Lleshi transferohet për në Sllovë. Lëvizja ishte paralele dhe natyrshëm mund të mendohet se u bë për forcimin e punës, pasi dhe atje kishin lindur probleme dhe mosmarrëveshje. Lokaliteti i katërt ku punoi Llesh Zef Doçi ishte Zall-Dardha, ku kishte të njohur dhe lidhje shoqërore e miqësore për shkak të lidhjeve tradicionale që lurasit kishin patur ndër shekuj me Dardhën dhe kryesisht me Reçin.
Si çdo drejtues tjetër, edhe Lleshi krahas miqëve dhe mbështetësve kishte edhe kundërshtarët e tij, të cilët, ndoshta edhe me orientim nga lart, u aktivizuan me letra anonime, kritika të ashpra dhe debate publike, kundër kryetarit që “nuk po zbatonte vijën e partisë”.

Përjashtohet nga partia për herë të dytë dhe ai ishte i bindur se kësaj radhe largimi do të ishte i pakthyeshëm dhe përfundimtar, prandaj nuk u ankua në instancat e larta të Partisë në Tiranë.U kthye në shtëpi dhe kreu çdo lloj pune në bujqësi dhe blektori, para se të merrte një punë me sipërmarrje në Ndërmarrjen e Ndërtimit në Mirditë. Lleshi ka punuar në Mërkurth me kontratë sipërmarrje nga prilli deri në fund të dhjetorit të vitit 1970. Ndaj tij Prokuroria e Rrethit Mirditë kishte hapur çështja penale për gjoja “abuzime me pagat e puntorëve të marrë në sipërmarrje”. Duke mos e trajtuar sipas ligjit marrëdhënien e sipërmarrjes që Lleshi kishte me ndërmarrjen, ai dhe punëtorët e tij gjatë gjykimit u konsideruan padrejtësisht si pjesë e fuqisë punëtore të ndërmarrjes, edhe pse nuk ishin të tillë. Gjykata e kishte formuluar akuzën sikur “Llesh Doçi ka përvetësuar në dëm të shokëve të punës. Në të vërtetë, jo vetëm drejtori i Ndërmarrjes, por edhe Përgjegjësi i sektorit të Kurbneshit dhe shefat e zyrave të Planit, Financës, etj e kishin konsideruar Lleshin si sipërmarrës.
Në fund të gjykimit, Prokurori kërkoi 4 vjet heqje lirie, megjithatë, Gjykata e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 2 vjet heqje lirie. Në lidhje me dënimin e Llesh Doçit, një ekspert i ndërtimeve, drejtues i ndërmarrjes ku punonte Lleshi ka sqaruar: “Nëse puntori do të kishte problem me sipërmarrësin duhej t’i drejtohej drejtpërdrejt Gjykatës”, gjë që s’kishte ndodhur, pasi nuk kishte asnjë problem midis Lleshit dhe puntorëve. E drejta e shpërndarjes së pagesës i takonte sipërmarrësit dhe pagesa do të bëhej pa bordero, sipas marrëveshjes paraparke që sipërmarrësi kishte bërë me secilin puntor”.

Pas burgut Lleshi ka bërë vetëm punë fizike. Ishte i ndërgjegjshëm se për të ishin mbyllur të gjitha shtigjet për punë intelektuale dhe drejtuese, pavarësisht se ai sillej si njeri i mendjes, kishte mbetur vetëvetja dhe nuk mund t’i hiqej vullneti për punë. I’u fut çdo lloj pune: lërimin e arave, korrje misri dhe gruri, kositje bari, etj. Në kooperativë fitonte pak, prandaj me ndihmën e shokëve mundi të shkëputet dhe filloi punë në pyjore, në grumbullimin e rrëshirës. Puna ishte e rëndë, por sidoqoftë merrte shumë më tepër të ardhura. Në këtë periudhë fëmijët vazhdonin studimet e larta njëri pas tjetrit dhe kërkonin ndihmë.

Nuk ka fshat, mal e bajrak, ku banorë të moshës mbi 50 vjeç, të mos kujtojnë fjalët, punët dhe veprat e mira në fushën e pajtimit të humanistit Llesh Zefi. Është rasti të kujtojmë zgjidhjet që janë realizuar me ndërhyrjen e tij, fjalët që ka thënë, mendimet që ka ofruar dhe veprat që ka lënë si kujtim të jetës së tij në fushën e pajtimit.

U angazhua me misione pajtimi në Lurë, por edhe në Dibër e Kukës, madje edhe në Mirditë, Kurbin, Lezhë e Ishëm të Durrësit. E realizoi këtë mision fisnik, pasi ishte një burrë i ditur dhe i arsimuar, njihte historinë e vjetër dhe të re deri për çdo krahinë e fshat.

Llesh Zef Doçi meriton atë shprehjen që thonë njerëzit kur kanë një hall: “T’u ndodhtë pranë!” Një familjar i përkushtuar deri në sakrificë, që u gjendej pranë shokëve dhe miqëve, veçanërisht kur ata ishin në hall dhe kishin probleme të ndryshme të jetës.

Ndryshimet demokratike u pritëm me shumë interes nga Lleshi. Për Lleshin liria kishte një dimension të gjërë dhe shihej si mekanizëm i vetërealizimit të njerëzve në të gjitha sferat e jetës.

Llesh Zef Doçi luftoi deri në frymën e fundit për devizën e tij jetësore. Ai nuk dijti të ndalet para asnjë lloj vështirësie. Vendosmëria për të ecur përpara nuk është thjeshtë ëndërr romantike e njerëzve të ditur, por edhe realitet i njerëzve që punojnë shumë e nuk tremben nga sakrificat. Misioni jetësor i Lleshit për të lënë pas vetes një brez të arsimuar dhe çka është më e rëndësishme, të aftë për jetën, u realizua më së miri në kushtet e vendosjes së demokracisë në Shqipëri, kur sistemi i ri u krijoi njerëzve hapësira që ta tregojnë vetëveten. Ai pati fatin se pa me sytë e tij suksesin e projektit të madh të jetës, sukseset e fëmijëve të tij.

I biri, Dodë Doçi, Pronar i Kompanisë “Lura” është njëri ndër biznesmenët e njohur në vend, i dekoruar me Urdhërin “Nënë Tereza” nga President i Republikës, zoti Bujar Nishani.
Të gjithë ata që e kanë njohur e kujtojnë me respekt Prengë Doçin, intelektualin erudit, djalin tjetër të Lleshit.

Vitet e fundit të jetës, Lleshi i kaloi pothuajse i zënë plotësisht me pajtimin. Veprimtaria pajtuese që ai realizoi ishte kurorëzimi i një praktike të gjatë që ai e pati ushtruar gjithmonë, kur ishte me funksione në shtet, apo si qytetar i thjeshtë. Ai kishte dashur që të ishte gjithmonë i vlefshëm për Lurën, Dibrën e më gjërë dhe angazhimi humanitar me pajtimet realizonte më së miri këtë dëshirë të tij. Ka me qindra raste të tjera, disa shumë problematike, që janë zgjidhur me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Lleshit. Kjo ka bërë që ai të konsiderohet si një nga misionarët e mëdhenj të pajtimit në krejt qarkun e Dibrës. Për të nderuar kontributin e tij në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe pajtimin e palëve në konflikt për një periudhë shumë të gjatë kohë, Misioni i Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza” e dekoroi Llesh Zef Doçin me “Urdhërin e Artë të Misionarit të Pajtimit”. Ky vlerësim fitoi simbolikë të veçantë, pasi me atë rast, me të njejtën dekoratë u vlerësua edhe Anton Çeta, veprimtari i njohur në pajtimin e gjaqeve në Kosovë.

Lleshi i gëzohej punës dhe pa se si njerëzit rendnin pas problemeve të jetës. Natyrisht në këtë sistem të ri vlerash të lirisë do të kishte dhe të humbur, prandaj që të mos ndodhte kjo, duhej persosur dija dhe shtuar përpjekjet për punë. Ai këmbëngulte në porosinë e tij se “njerëzit duhet të luftojnë, të përpiqen të mësojnë dhe të punojnë çdo ditë, që të mund të ecin përpara në jetë”.

Por, kur ishte vetëm 72 vjeç, sëmuret papritur dhe për dy-tre ditë u trajtua në shtëpi. Mjekë të njohur e vizituan në shtëpi dhe i dhanë ilaçet e nevojshme, por gjendja shëndetësore nuk po përmirësohej. Atëherë djemtë e tij e dërguan në Spitalin Ushtarak, ku u diagnostikua me sëmundjen “pankeras akut”, e cila jepte pak shpresë për shpëtim. U operua, por për fat të keq nuk mundi t’i mbijetojë operacionit. Jetoi vetëm tre ditë dhe ndërroi jetë në spital me 14 dhjetor 1999.

Ceremonia mortore u organizua te shtëpia Gjonit, në Kodër Kamzë, me pjesëmarrjen e familjes, të afëmve, të një numri shumë të madh njerëzish, nga Lura, Dibra, Mirdita, Luma, shokë e miq nga treva të tjera, shokëve të djemëve, etj. Të gjendur në Tiranë, në atë ceremoni morën pjesë edhe disa danezë. Ata, duke parë numrin e madh të njerëzve që po hynin në shtëpi për t’i dhënë lamtumirën e fundit një njeriu, kishin kërkuar të marrin pjesë në atë ceremoni, duke pandehur se bëhej fjalë për vdekjen e një personaliteti të lartë shtetëror në detyrë dhe u habitën kurë e morën vesh se burri që kishte vdekur ishte pensionit. Njëri prej tyre, nën përshtypjet që i la ajo ceremoni madhështore varrimi shkroi për një gazetë daneze një shkrim me titullin: “Vdekja e një njeriu të pushtetshëm pa pushtet”.

U nda nga familja, shokët e miqtë një burrë që la pas vetes emrin e tij. Njerëzit që vijnë për të bërë mirë në këtë jetë, jetojnë shumë gjatë permes veprës së vet. Vepra humaniste e Lleshit frymëzon të gjithë ata njerëz që kërkojnë ta duan vendlindjen, shokun, mikun dhe Atdheun; të gjithë ata që luftojnë për të vërtetën dhe janë gati të sakrifikohen për të.

Për ta përshkruar jetën e Lleshit na vjen në ndihmë një shprehje e popullit: “Mund të arrijmë dritën e agimit, vetëm duke përshkruar shtegun e natës”. Llesh Zef Doçi udhëtoi deri në fund të jetës shtegut të natës, por ishte me fat se e preku agimin e jetës së tij. Këshilli i Komunës Lurë e ka shpallur “Qytetar Nderi” në vitin 2014, ndërsa dje, me 10 tetor 2017, Këshilli i Bashkisë Kamzë e përjetësoi kujtimin e tij me emrin e një rruge.