NË VIZITË TE VARRI I AKADEMIK MARK KRASNIQIT

Nga  Harry BAJRAKTARI – Nderi i Kombit

 

Në dhjetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ku mora pjesë në kremtimin e këtij jubileu të madhe historik, isha dhe vendosa një gur mbi pllakën e varrit të akademik Mark Krasniqit, që është shenjë simboli se dikush ka qenë për vizitë aty. Akademiku Krasniqi, ishte mik i imi personal dhe i familjes sime në New York dhe Vranoc.
Profesor Krasniqi, si intelektual dhe shkencëtar, ka qenë shumë i përkushtuar ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kosovën e donte me zemër dhe për të punoi tërë jetën, pa u ndarë asnjëherë nga ajo, derisa ndërroj jetë në Prishtinë.
Akademik Mark Krasniqin, e kujtojmë si profesor univerziteti, si shkencatar, si njeri me gjykime të drejta, i cili me punimet e tij shkencore iu kundërvu qysh herët pikëpamjeve dhe miteve serbe për Kosovën e shqiptarët. La gjurmë të thella në historinë tonë kombëtare dhe, pak para se të jipte shpirt, la amanetin e tij që e mbante në zemër: “Kurrë mos e harroni bashkimin kombëtar”.

Prishtinë, shkurt 2018.