E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

VIDEO/ Kapen në Portin e Durrësit mbi 13 kg heroinë në një autobus, arrestohet pronari i firmës dhe shoferi

13.7 kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë u kap këtë të dielë, në Portin e Durrësit.
Droga u kap në një prej autobuzëve të linjës Durrës-Milano, ndërsa Policia vuri në pranga pronarin e firmës ‘Keli Travel’, shtetasin Mikel Pici, 32 vjeç, banues në Rrogozhinë dhe shoferin e autobusit Piro Rushi, 57 vjeç, banues në Fier.
Gjithashtu, uniformat blu thanë se gjatë kontrollit fizik, Picit iu gjet një sasi lëndë kokainë.
Heroina ishte e ndarë në 26 pako të mbështjella me natriban, u gjet në pjesën e pasme të një autobuzit.
Njoftimi i Policisë:

Port, Durrës – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj tentativave për trafikim të drogave të forta.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Terminali”, i zhvilluar nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore të portit.

Falë kontrolleve të shtuara të Policisë Kufitare dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, parandalohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për trafikim të drogave të forta drejt Italisë.

Gjenden të fshehura në një autobus dhe sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 26 pako me lëndë narkotike heroinë, me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë.

Vihen në pranga pronari i firmës së linjës së autobusëve dhe drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafiqe të paligjshme, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vjën e dytë, autobusin e linjës “Durrës-Milano”.

Nga kontrolli i imtësishëm, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në pjesën e pasme të autobusit, 26 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

-M. P., 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve “Durrës-Milano”;

-P. R., 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit M. P. iu gjet një dozë lënde narkotike kokainë.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 8 celularë.

Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./Limit.al

http://limit.al/wp-content/uploads/2023/04/PORT-DURRËS-HEROINA.mp4

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Kulturë