E enjte, 19 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Filmi biografik “Michael” rikthen në ekran Mbretin e Popit

Në vitin 2009 ndërroi jetë “Mbreti i Popit”. Tani shfaqet premiera e filmit për legjendën e muzikës – me nipin e tij, Jaafar Jackson, në rolin kryesor. Në Berlin, ai rrëfen se si e kujton xhaxhain e tij.

Në Berlin u shfaq premiera e filmit “Michael” kushtuar ikonës së muzikës pop Michale Jackson. Shumë fansa u shfaqën me veshjen ikonike si doreza me xixa, kapela karakteristike apo çorape të bardha: filmi i ri për legjendën e muzikës Michael Jackson festoi premierën e tij ndërkombëtare në Berlin, në prani të anëtarëve të familjes. Në këtë event mori pjesë edhe nipi i Jacksonit, Jaafar Jackson (29), i cili në filmin biografik “Michael” interpreton “Mbretin e Popit”.

 Në premierë morën pjesë edhe vëllezërit e Michael Jacksonit, Jermaine, Jackie dhe Marlon, si edhe djemtë e tij, Prince dhe Bigi. Filmi “Michael” pritet të shfaqet në kinematë gjermane më 22 prill (të mërkurën).

Nga Jackson Five në ikonë globale

Filmi i regjisorit Antoine Fuqua (“Training Day”) rrëfen, sipas njoftimit zyrtar, “historinë e jetës së Michael Jacksonit – shumë përtej muzikës”. Ai ndjek rrugëtimin e tij që nga “zbulimi i talentit të tij të jashtëzakonshëm si këngëtar kryesor i Jackson Five e deri te artisti vizionar,ambicia krijuese e të cilit e shtyu pa reshtur të bëhej argëtuesi më i madh në botë”. Premiera ishte planifikuar të shënonte fillimin e një eventi disaorësh dhe të aktiviteteve për fansat, kushtuar këtij realizimi kinematografik.

Jaafar Jackson i tha agjencisë gjermane të lajmeve Deutsche Presse‑Agentur se marrëdhënien me xhaxhain e tij e kujton si jashtëzakonisht të ngrohtë dhe të dashur, të mbushur me shumë momente plot humor. Një nga kujtimet e tij më të bukura lidhet me herën e fundit kur e pa atë gjatë një darke të madhe familjare.

“E mbaj mend që isha ulur menjëherë pranë tij dhe ai këndonte – unë thjesht e dëgjoja”, tregoi aktori. Xhaxhai e kishte pyetur se me çfarë po merrej dhe cilët filma i pëlqenin. “Ishte gjithçka krejt normale”, tha ai. Pikërisht kjo thjeshtësi e ka prekur dhe i ka lënë mbresa të forta.

Filmi “Michael” është prodhuar, ndër të tjerë, nga Graham King, i cili më parë ishte përgjegjës për portretin muzikor të vlerësuar me Oscar “Bohemian Rhapsody”, kushtuar këngëtarit të Queen, Freddie Mercury.

Stili ekscentrik i jetesës dhe procesi i shekullit

Vajza e Michael Jacksonit, Paris Jackson, është distancuar publikisht nga ky projekt. Në një postim në Instagram, ajo deklaroi se nuk është e përfshirë në realizimin e këtij biopiku, raportonte revista “Rolling Stone” në shtator të vitit 2025.

Titullin “King of Pop” këngëtari (1958–2009) ia kishte atribuar vetes që herët.Lëvizjet e tij ikonike të vallëzimit moonwalk, hitet si “Billie Jean”, “Beat It” dhe “Thriller”, videoklipet spektakolare dhe shfaqjet madhështore skenike e revolucionarizuan botën e pop‑muzikës në vitet 1980.

Stili ekscentrik i jetesës i Jacksonit dhe akuzat për abuzim dëmtuan më vonë imazhin e tij. Pretendimet e një adoleshenti për sulme seksuale çuan në vitin 2005 në një të ashtuquajtur “proces të shekullit”, i cili përfundoi me shpalljen e pafajësisë së Jacksonit për të gjitha pikat e aktakuzës./ dpa

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Kulturë