Shqipëria dhe Kosova kanë zhvilluar një stërvitje të përbashkët për kërkim-shpëtimin në terrene malore, duke forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional në fushën e emergjencave civile dhe të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.
Stërvitja u organizua në Prevallë, në afërsi të Prizrenit, nga 2 deri më 5 nëntor 2026, me pjesëmarrjen e personelit të Bazës së Mbështetjes së Emergjencave Civile të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjatë katër ditëve, pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja profesionale, testuan pajisje të reja dhe praktikuan teknika të specializuara për kërkimin dhe shpëtimin e personave në terrene malore. Një pjesë e rëndësishme e ushtrimeve iu kushtua evakuimit të personave të lënduar nga zona me kushte të vështira gjeografike.




