Siç dihet, në vendin tonë mosha e pensionit është periudha më delikate për jetën e gjithësecilit. Shpenzimet janë shumë të larta për të ardhurat e limituara që merren nga pensionet shtetëroredhe shpesh herë pensionistët janë të detyruar të mbështeten tek familjarët e tyre për të përballuar jetesën. Ky fenomen u bë akoma më i qartë gjatë periudhës së pandemisë ku përveçse rrezikut ndaj virusit pensionistët patën problematika të mëdha në përballimin e shpenzimeve kjo dhe për shkak të uljes së prurjeve nga të afërmit e tyre. Në dallim nga të ngjashmit e tyre në Europë, pensionistëve shqiptar ju desh të bënin llogaritë jo vetëm me virusin por dhe me pamundësinë ekonomike.
Vlera e pensioneve që marrin qytetarët shqiptarë është padyshim më e ulët se ajo e vendeve të zhvilluara por nuk është i vetmi faktor që ndikon në mirëqënien e moshës së tretë. Qytetarët në vendet e BE prej kohësh kanë zbuluar mënyra për të investuar në të ardhmen e tyre duke siguruar një pension të dytë vullnetar për të ruajtur një standart të lartë jetese edhe gjatë pleqërisë. Duke investuar në pensionin vullnetar gjatë viteve të punës ata sigurojnë një pleqëri të qetë dhe të qëndrueshme ekonomikisht.
Në vendin tonë investimi në pensionin vullnetar po rritet në mënyrë të shpejtë, kjo dhe për shkak të fleksibilitetit të skemës dhe mundësisë që i ofron çdo individi për të patur një pension dhe një të ardhme më të mirë.



