Shpat Deda është këngëtar dhe autor këngësh i njohur. Në moshën 18- vjeçare, Shpati shkoi për studime për biznes në Bullgari dhe atje arriti të bëhej pjesë e grupit “Quiet Hours”. Gjatë kohës së Universitetit, ai pati mundësi të realizonte krijimet e tij të para. Prezantimi i tij si këngëtar për publikun e gjerë ka ndodhur pikërisht ne emisionin “Unplugged” në Top Channel. Më pas prezantohet në ‘Top Fest 5’ dhe triumfon me çmimin “Best New Artist”. Kënga e tij “Ënderroj” u kthye në një hit. Shpat Deda, një emër që të gjithë e njohin dhe e admirojnë sepse arriti të hyjë në brendësinë e çdo të riu që sot e duartroket dhe buzëqesh apo ndjen kur ai përcjell tek ata tingujt e muzikës me kitarë që i krijon vetë.
Histori dashurish pa fund kanë Shpat Dedën në sfond. Mes zjarrit të shkëndijave të para, oqeanit të dashurisë që rritet, dhe lotëve të humbjes, kënga e Shpat Dedës jehoi në një brez të tërë. Ninullë e përjetshme. Shkëndijë e shëndritshme. Ëndërr që nuk mbaron.
Bashkë me mjeshtrin dhe multi-instrumentistin e shquar Visar Kuçi dhe me producentin e njohur Tomor Kuçi, ai vjen me një format krejtësisht të ri për ta sjellë poezinë e tij të gërshetuar me një përvojë bashkëkohore për herë të parë për publikun e gjerë tiranas. Aranzhuar enkas për këtë program mes fizharmonikës, violinës, kitarave dhe zërit, këngët e tij marrin jetë të re në një spektakël muzikor të karakterizuar nga eksperimentimi muzikor dhe thellimi në emocion dhe poezi.



