Raporti i fundit i UNICEF që jep një panoramë botërore të situatës së vdekshmërisë foshnjore, e nxjerr Shqipërinë të renditur në vendin e 35, në mesin e shteteve me të ardhura mbi mesatare. Vlerësimi bëhet nga rreziku më i lartë tek më i ulëti, sipas të dhënave të ofruara nga agjencia e Vlerësimit të Vdekshmërisë Foshnjore, OKB, me të dhënat e vitit 2017. Sipas këtyre të dhënave, në Shqipëri për vitin 2017 ka 6.2 vdekje për 1000 fëmijë të lindur.
I vetmi shtet në rajon që ka një normë vdekshmërie më të lartë është Maqedonia, e renditur e 26-ta, me 8.3 vdekje për 1000 fëmijë të lindur. Shifra më të ulëta duket se ka Bosnja dhe Hercegovina, me 4.7 vdekje/ 1000 fëmijë, Serbia 3.7 /1000, Kroacia 2.9/1000, Mali i Zi me 2.7 vdekje për 1000 fëmijë të lindur.
Vdekjet e fëmijëve nën 1 vjeç në Shqipëri u rritën me mbi 19 për qind gjatë vitit 2016, duke shënuar edhe rritjen e parë në dy dekada të këtij treguesi, edhe sipas të dhënave statistikore të publikuara nga Instituti i Statistikave. Gjatë vitit 2016, 277 fëmijë nën një vjeç humbën jetën nga 233 vdekje të tilla që qenë shënuar në vitin 2015.





