Të gjithë e dimë që fruti është mbreti, por ka njerëz që preferojnë t’i shtrydhin. Është super e përhapur tendenca tani që të pish lëngje të freskëta të frutave të shtrydhura dhe lëngje të plota frutash dhe perimesh, mundësisht të gjelbra. Por cili është ndryshimi mes dy lëngjeve? Thënë shkurt, është fibra. Lëngjet e shtrydhura kanë shumë pak fibër, ndërsa lëngu i plotë me copëzat e grira të frutave dhe perimeve, ose siç njihet ndryshe ‘smoothie’, ka më shumë. Lëngu i plotë përgatitet duke vendosur të gjithë përbërësit në një enë dhe duke i grirë ato së bashku. Rezultati është fantastik. Një kombinim frutash dhe perimesh plot me vitamina dhe fibra.
Shtrydhësi i frutave nga ana tjetër filtron fibrën nga frutat dhe perimet duke mbushur gotën me lëng por duke lënë mënjanë tulin e frutit apo pulpin që është plot fibra. Përse janë të rëndësishme fibrat? Fibrat ndihmojnë tretjen, balancojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe të bëjnë të ndihesh i ngopur. Ka dy lloje fibrash që gjenden në fruta dhe perime të ndryshme. Fibrat e patretshme që luajnë rolin e një udhërrëfyesi për gjithçka futet në trup, sidomos në aparatin tretës. Fibrat e tretshme që gjenden tek produktet si kastraveci, drithërat, karrotat, arrat dhe farat. Fibrat e tretshme ofrojnë një sërë përfitimesh, përfshirë uljen e kolesterolit, thithjen e karbohidrateve nga ushqimet dhe ndihmën që u jep baktereve të mira në stomak. Fibrat e tretshme gjenden edhe në produkte si tërshëra, molla, kumbullat, pjeshkat arrat dhe farat.
Mungesa e fibrave tek lëngjet e shtrydhura u jep atyre një disavantazh të vetëm ndaj lëngjeve të plota. Në një gotë lëng frutash njeriu merr shumë përbërës ushqimorë siç janë mineralet, antioksidantët dhe vitaminat. Këto lëngje mund të jenë të mira për t’u pirë një herë në javë kur ke nevojë për një dozë perimesh ose frutash në një gotë dhe jo në pjatë. Fibra është e rëndësishme në ushqimin tonë të përditshshëm, ndaj nëse ju pëlqejnë lëngjet, merrni frutat dhe perimet dhe grijini, por mos i shtrydhni gjithmonë, kështu merrni edhe dozën ditore të fibrës. Sipas studimeve, meshkujt dhe femrat kanë nevojë të konsumojnë të paktën dy filxhanë fruta dhe dy filxhanë perime në ditë. Fëmijët kanë nevojë për një.



