Dr. Dave dhe Dr Cheryl, dy mjekë amerikanë kanë folur mbi rëndësinë e mbajtjes së syzeve të diellit, sidomos gjatë stinës së verës, në të cilën rrezatimi diellor është më i fortë dhe dita është më e gjatë. Përveç faktit që syzet e diellit janë një aksesor në modë gjatë verës, ekzistojnë arsye të tjera mjekësore dhe estetike se pse duhet t’i mbani ato. Më poshtë po rendisim disa prej arsyeve të renditura nga mjekët më sipër:
- Parandalojnë kancerin e qepallave
Ekzistojnë dy forma të shpeshta të kancerit të qepallave, karcinoma e qelizave bazale dhe karcinoma e qelizave skuamoze, të cilat përbëjnë 5-10% të totalit të karcinomave të lëkurës. Ato vihen re më tepër tek personat që kanë ekspozim të zgjatur pa mbrojtje në diell. Gjithashtu, syzet e diellit mbrojnë edhe nga melanoma, kanceri që e merr origjinën kryesisht nga nishanet dhe mund të jetë tepër vdekjeprurës për shkak të aftësisë tepër të lartë të tij për të dhënë metastaza në distancë, pra edhe në organet e tjera.
- Mbrojnë retinën
Retina është shtresa më e thellë, në të cilën projektohen imazhet që ne shohim dhe më pas dërgohen me nervin optik në qendrën e të parit në tru dhe ne arrijmë të kuptojmë imazhin që shohim. Fuqia pamore e retinës bie me kalimin e moshës 60 vjeçare, por një studim në SHBA ka zbuluar se kjo fuqi pamore dobësohet akoma më tepër në rastet e ekspozimeve të zgjatura në diell. Retina pëson në këto raste degjenerim makular (makula është pjesa e retinës ku bëhet fokusimi maksimal i imazhit).



