Të moshuarit në gjendje të mirë shëndetësore nuk duhet të marrin aspirinë çdo ditë. Në këtë përfundim ka arritur një studim afatgjatë i kryer në SHBA dhe Australi, publikuar nga BBC. Studimet kanë treguar se ky ilaç është i mirë për njerëzit që kanë pësuar një atak në zemër apo goditje në tru.
Por, studimi i fundit ka zbuluar se aspirina nuk ka asnjë benefit për njerëzit e shëndetshëm mbi 70 vjeç, madje këto pilula rrisin rrezikun për hemorragji. Mjekët e rekomandojnë këtë ilaç për pacientët që kanë pësuar atak në zemër apo goditje në tru duke qenë se hollon gjakun dhe ul rrezikun për përsëritje të atakut.
Disa njerëz plotësisht të shëndetshëm zgjedhin të marrin aspirinë për të ulur rrezikun ndaj këtyre sëmundjeve. Ndërkohë, po vazhdojnë të bëhen akoma më shumë hulumtime shkencore nëse aspirina mund të përdoret për uljen e rrezikut të kancerit.



