Në një vend afrikan, vajzat detyrohen të jenë të shëndosha. Në Mauritania, gra të tilla janë një simbol i bukurisë. Për shkak të këtij simboli, disa prindër ende i detyrojnë vajzat të jenë obeze duke i detyruar ato të konsumojnë deri në 16,000 kalori në ditë, që është madje gjashtë herë më shumë se sasia e kalorive që është e nevojshme për një mashkull të rritur.
Një trup i shëndoshë është ideali i bukurisë femërore në Mauritania. Kjo traditë zuri rrënjë shumë shekuj më parë, kur bagëtitë e majmura konsideroheshin simbol i pasurisë. Po kështu, nëse vajza që do të martohet është e shëndoshë, kjo është dëshmi se ajo vjen nga një familje e pasur ku kishte ushqim të bollshëm. Në këtë vend, ku një trup i madh konsiderohet i bukur dhe strijat konsiderohen seksi, vajzat e reja dërgohen në kampe speciale në shkretëtirë, ku ato ushqehen fjalë për fjalë me forcë dhe kështu përgatiten për martesë.
Edhe pse në vitin 2003 qeveria e Mauritanisë filloi një fushatë kundër abuzimit të fëmijëve dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet shëndetësore të obezitetit, në zonat rurale kjo traditë është ende e rrënjosur thellë. Kjo praktikë, siç shpjegohet nga një gazetar mauritanian, imponohet nga burrat, të cilët vlerësojnë dhe duan të martohen vetëm me vajza obeze.



