E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

TRANDAFILE MOLLA, E SHKURTOI LARGËSINË ME MIQTË KRIJUES… – Nga: Prof.Murat Gecaj, publicist e studiues

1.

U bënë disa vjet, qëkur dhurrsakja Trandafile Molla, me bashkëshortin Ramazan e dy vjazat, u larguan nga vendbanimi i tyre dhe shkuan emigrantë, në qytetin Novara, të Italisë fqinje. Sigurisht, e përjetuan me dhimbje këtë largim të tyre. Por ashtu u krijuan kushtet dhe dëshironin që të gjenin një mundësi të re, për një jetesë më të mirë. Siç është e kuptueshme, u desh të kalonin vështirësi, që të mësoheshin me mjedisin e ri, ku shkuan, si për një banesë të përshtatshme, gjuhën e huaj, punën e shkollimin e fëmijëve. Por, me ngulm e aftësi, arritën t’i kalonin pengesat, që u dolën përpara.

Por, me gjithë kushtet e krijuara në Novara, me mendje e zemër, ata ishin e janë gjithjë në Durrësin bregdetar. Prandaj, kurdo që u krijohen mundësitë, kthehen plot mallëngjim dhe emocione. Aty takojnë familjarë e të afërm të tyre, por dhe kolegë, miq e dashamirë.

Vetë Trandafilja, duke e përjetuar me dhimbje këtë largim nga vendlindja, gjeti qetësi shpirtërore, duke thurur poezi. Këto ndjenja i shprehu aty me thjeshtësi, por në to gjeje përjetimet e saj, nga fëmijëria dhe deri te plagët e emigracionit. Megjithëse me paksa ngurrim, nisi që poezitë e saj t’i bënte të njohura për lexuesit e interesuar. Së pari, publikoi ndonjë poezi prej tyre, në faqet e Internetit. Pastaj i lindi dëshira që t’i tubonte ato në një vëllim të veçantë. Në këtë punë të dobishme, iu gjend pranë miku e dashamiri matjan, publicisti e krijuesi, Hamdi Hysuka.

Pasi ai bëri redaktimin e poezive të zgjdhura nga vetë Trandafilja, librin e dërguan për botim.Ai mban titullin “Atje dua…”(Tiranë,2017). Kështu, ai erdhi jo vetëm në duart e saj, por dhe të lexuesve të tjerë. Ndjeu emocionet e para të tyre, që ia shprehën gojarisht, por dhe me anë të mesazheve, që i dërguan.

Në vazhdim, për lexuesit, Trandafilja përgatiti e botoi librin tjetër poetik, “Mall për gjithësinë”(Tiranë, 2018). Në adresën e saj të Fb-ut i erdhën mjaft kërkesa për miqësi, pasi u njohën me krijimtarinë e saj të bukur. Një ndër ta, isha dhe unë e shpejt u njohëm me jetën dhe krijimtarinë e njëri-tjetrit. Me mirëkuptim, përgatitëm një bisedë modeste, të cilën e publikuam, në faqe të ndryshme të Internetit, me titullin “Trandafile Molla, me mallin për vendlindjen, shoqëruar me disa libra poetikë…”.

2.

Me anë të mesazheve në Fb, Trandafilja na e bëri të ditur, se do të kthehej përsëri, këto ditë, në qytetin e vendlindjes, pra në Durrës. Por dhe shprehu dashamirësinë që, me një grup të vogël krijuesish, të vinte e të takoheshim në afërsi të banesës sime, aty ku ishte stacioni i trenit dhe filllon Bulevardi i Ri i kryeqytetit.

Dhe ja, para 2-3 ditëve, ata mbërritën këtu, në një mëngjes të bukur pranvere. U takuam ngrohtësisht, si të ishim njohur shumë vite më parë, si unë dhe Trandafilja, me Ramazanin. Gjithashtu, ishte kënaqësi që, në këtë “ekip”, ishin edhe miqtë e mi të kahershëm, publicistë e poetë, por dhe me njohje të përbashkët me Trandafilen: Nikolla Spathari, Faik Xhani e Hamdi Hysuka.

Megjithëse tani jam me pak ankesa shëndetësore, çifti i ardhur nga Durrësi e më parë nga Italia, “më rrëmbyen” (ha,ha) edhe mua, me veturën e Xanit. Kështu, ne shkuam e pimë kafen e parë, në lokalin “Migena”, i cili ndodhet në krah të Hotelit “Tirana” të kryeqytetit. Aty erdhi, për të na përshëndetur Sejdo Harka, arsimtar veteran, publicist e studiues.

Bisedat tona, rreth tavolinave të atij lokali, ishin të këndshme dhe me tamatikë të larmishme. Këtë takim të ngrohtë e të paharuar e fiksuam në disa fotografi, me aparatet tona. Çaste të bukura ishin, kur ne shkëmbyem dhuratat me njëri-tjetrin. E para, Trandafilja, shoqëruar me shënimet e saj dashamirëse, më dhuroi dy libra të vetë poetikë: “Aje dua…”(Tiranë, 2017) dhe “Mall për gjithësinë”(Tiranë, 2018).Po kështu, ky çift më kishte sjellë, për respekt, një shishe me verë të mirë. Ndërsa unë i dhurova Trandafiles librat më të rinj: Antologjinë time të tretë, për disa femra krijuese, “Si ujëvarë bjeshke”(Tiranë, 2017) dhe librin e 2-të jetëshkrimor, “Gjurmë, nëpër udhë…”(Tiranë, 2018). Ndërsa autori Hamdi Hysuka më dhuroi librin e tij poetik, “Pa moshë…”(Tiranë, 2015), bashkë me fletëpalosjen, me titullin: Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi”, të Matit, të cilin e drejton ai.

3.

Po nuk u ndamë me kaq, nga miqtë tanë të nderuar, Trandafilen e Ramazanin. Ata na ftuan, me dashamirësi e respekt, që të drekonim bashkërisht, në lokalin me emrin “Kukësi”, ku do t’i vazhdonim më tej bisedat e filluara. Xanit iu desh të bënte dy udhëtime, për të na çuar atje, duke kaluar dhe vështirësitë e trafikut të rënduar të kryeqytetit.

Më në fund, përsëri u rehatuam, rreth dy tavolinave të atij lokali.Duke shijuar pijet e dëshiruara nga secili dhe mezetë e freskëta, biseda vazhdoi për jetën familjare e shoqërore.Por, kryesisht, u fol për krijimtarinë e secilit dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë e ndyshme, në vendbanimet tona.

Kishte se çfarë të na tragonte arsimtari veteran dhe publicisti e krijuesi i njohur, Nikolla Spathari. Ai drejton me aftësi profesionale “Shoqatën e Shkrimtarëve e Artistëve” të qytetit të Durrësit. Janë të njohura disa nga veprimtaritë e organizuara prej saj. Synimi i tyre është nxitja e krijimtarisë së poetëve, shkrimtarëve e artistëve dhe mbështetja për publikimin e librave të rinj ose çeljen e ekspozitave me piktura etj. Këtij qëllimi i kanë shërbyer edhe “Mirënjohjet” e shpërndara për krijuesit, sidomos duke nxitur ata më të rinjtë.

Miku Nikolla na tregoi se po punonte për botimin e disa librave, pra kolanën e krijimtarisë së tij shumëvjeçare, publicistike e letrare.

Për pjesëmarrësit në këtë takim, Faik Xhani na shpërndau nga një kopje të numrit të ri të gazetës “Zëri i Pensionitit”, botim periodik i Shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensonistëve të Shqipërisë”, të cilën ai e drejton me kënaqësi. Por dhe unë u fola miqëve krijues, për veprimtaritë shumëvjeçare të “Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë”, me kryetare të ndjerën Yllka Beçi dhe ku jam sekretar i Përgjithshëm.

Megjithëse dëshironim të rrinim përsëri bashkë, erdhi koha për t’u ndarë. Hamdiu u kthye në vendlindjen e tij, Burrel, me një mjet udhëtimi. Ndërsa ne të tjerëve na solli Xani, deri te banesat tona, gjë për të cilën i jemi mirënjohës.

Me shkathtësinë e një krijueseje të vëmendshme, poetja e nderuar durrësake, Trandafile Molla-Baja, publikoi në Internet një shënim të gjatë, kushtuar këtij takimi të paharruar. Ai ishte me fjalë dashamirëse, për secilin nga ne dhe shoqërohej me disa fotografi, shprehëse e domethënëse.

…Në mbyllje të këtij shkrimi të thjeshtë, në nderim të poetes Trandafile Mola, si dhe të bashkëshorit, Ramazan Kaja, duke shprehur dhe mendimet e dëshirat e tre miqëve tjerë krijues, pjesëmarrës në takimin tonë të paharruar, u drejtojmë atyre falënderimet e mirënjohjen tonë. Me këtë rast, të dyve ju urojmë:

Shëndet të mirë, gëzime e lumturi, bashkë me dy vajzat e tyre! Dhe, veçanërisht, Trandafiles i urojmë krijimtari sa më të begatë e të bukur poetike, duke u dhënë lexuesve libra të tjerë të rinj.

Më pëlqen, që këtë reportazh modest, ta mbylli me pak vargje, nga një poezi, që ajo shkroi e publikoi për mua, në Fb, me këtë rast, shoqëruar me falënderimin tim:

TI, JE VETË “BOTA E RE!…”

Edhe pse bie një shi i imët, si vesë,

si vëllezër gëzueshëm u mblodhëm,

me dëshirën të takonim këtë mëngjes,

fjalët mjaltë,nga zemrat e arta rrodhën.

Ky ishte një agim i freskët pranveror,

çelur lule petale dhe të njoma fletë…

-Mirupafshim përsëri, të nderuar e të dashur miq, në takime të tilla dhe në përurime librash e në veprimtari të bukura letrare-artistike, në kryeqytetin tonë!

Tiranë, 4 maj 2019

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Kulturë