E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Takimi ynë i parë me poeten Diana Zhiti

Skicë nga: prof. Murat Gecaj

Kishte vetëm pak ditë, që poetja Diana Zhiti erdhi në Atdhe, nga Anglia, ku jeton tash disa vjet. Përveç takimeve, për t’u çmallur me familjarët e saj, ajo dëshironte që të bisedonte dhe me kolegë e miq krijues. Pas bisedave permes Fb, ajo shprehu mendimin që të na takonte, mua dhe poetin e shkrimtarin e njohur, Parparim Hysi, në lokalin “Galaxy”, në fillimin e Bulevardit të Ri të kryeqytetit. Mikpritësi i parë për Dianën ishte Papi dhe pastaj aty shkova unë, me bashkëshorten. I shprehëm falënderimin e përbashkët, për këtë vizitë, pas kaq kohe komunikimesh, përmes Internetit.

Siç ndodhë zakonisht, në fillim, u njohëm me gjendjen shëndetësore dhe me përbërjen familjare të njëri-tjetrit. Por vend kryesor zuri ajo për krijimet e botimet tona. Diana, me atë buzëqeshjen e çiltërsinë e saj të përhershme, nxori nga çanta e na dhuroi librin e parë të saj, me poezi. Ai e ka titullin intrigues, “Ëndërr ishte…”(Tiranë, 2017). Në 122 faqe të këtij botimi, kjo poete ka derdhur mendimet e ndjenjat e saj: për njerëz të njohur, për ngjarje e dukuri të përjetuara, si në të kaluarën, por edhe tani. Tematika e poezive është e larmishhme dhe zenë vend ato për Shqipërinë, prindërit, bukuritë e natyrës shqiptare, por dhe për ndjenjat njerëzore të dashurisë etj. Përmbledhurazi, në hyrjen e librit, Bledar Ylli ka shkruar, se poezitë e Dianës, e cila e përjetoi keqas persekutimin e rregjimit të kaluar, kanë: “Vuajtje, por dhe optimizëm…”.

Sigurisht, në këtë skicë modeste nuk mund të ndalem gjatë, në përmbajtjen e këtyre poezive. Por shënoj se Dianës i dhurova, me nënshkrim edhe unë Antologjinë e tretë për femrat krijuese, “Si ujëvarë bjeshke…”(Tiranë, 2017). Kam patur kënaqësinë që, në faqet e atij libri, të botoj bisedën e zhvilluar me poetën e talentuar Diana Zhiti (përmes Interntit), në tri faqe, “Si temë kryesorre të poezive të mia, veçoj mbijetimin e ëndrrave…”. Gjithashtu, asaj i dhurova librin tim të dytë jetëshkrimor, “Gjurmë, nëpër udhë…”(Tiranë, 2018).

Pasi bëmë një fotografi të përbashkët, kujtim nga ky takim, u ndamë përzemërisht me poeten Diana Zhiti, duke e falënderuar atë për vizitën dhe duke i uruar gjitha të mirat, në jetën e saj e të dy fëmijëve, pra dhe për krijimtari sa më të bukur, që të pasqytohet në një libër të ri të saj.

…Dëshiroj ta mbylli këtë skicë të thjeshtë, me një fakt domethënës: Poetja Diana Zhiti nuk e ndërpret krijimtarinë e saj, kudo që të ndodhet. Ja, në profilin e Fb, ajo ka publikuar një poezi të bukur, “Mendimet e mia…”, të shkruar pikërisht sot. Po shkëpus vetëm një strofë të saj:

Mendimet e mia:

fushë e verdhë, e dallgëzuar gruri,

me nuanca lulëkuqesh, ku luajnë flutura shumëngjyrëshe,

me simfoni gjinkallash dhe

burbujsh, muzgut, nēn tisin e hënës.

(Shqipëri, 29 korrik 2018)

Ndërsa, një nga lexueset, shkruante kështu, për këtë poezi: “Një shpërthim, që vetëm efekti i Atdhet ta jep…Të përshëndes, e dashur! (Nga Maria Hizma)”.

Tiranë, 29 korrik 2018

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Kulturë