Në datat 21-27 tetor 2019, shahistë të ndryshëm nga 14 nacionalitete, poredhe adhurues të tjerë të këtij sporti, kanë rastin të kalojnë bashkë çaste të mira sportive, si dhe të argëtohen përgjatë lojërave të shahut. Klubi i Shahut “Arbëria” si nikoqir, në bashkëpunim me Federatën e Shahut të Vjenës, urojnë sportistët për suksese, ndërsa vizitorëve u dëshirojnë mirëseardhje dhe të kalojnë bukur.
Tash e shtatë vjet nga themelimi, Klubi i Shahut “Arbëria” nga Vjena, po kontribuon vazhdimisht me aktivitetet sportive e kulturore, duke organizuar takime të rregullta me anëtarët dhe lojtarët, por gjithashtu duke organizuar edhe kohëpaskohe turne të ndryshëm, nisur nga ato me rastin e manifestimeve tradicionale në shkurt dhe nëntor, dhe për raste të tjera në bashkëpunim me klube e shoqata të tjera. Klubi përgjatë kësaj kohe ka arritur të korr suksese të shumta, duke u ngjitur thuajse gati çdo vit në një ligë më sipër, në kuadër të Ligës së Shahut në Vjenë. Ai tash garon me dy grupe, atë A, më profesionistët dhe me grupin B dhe ka shahistë nga disa nacionalitete.
Pas sukseseve të shumta, kryesia e klubit diskutoi me anëtarët hapin e madh dhe të rëndësishëm që ishtë planifikuar. Bëhej fjalë për mbajtjen e një turneu ndërkombëtar nën patronazhin e klubit dhe në bashkëpunim me Federatën e Shahut të Vjenës. Pasi u bënë të gjitha përgatitjet e nevojshme, të hënën, më 21 tetor, në lokacionet e Federatës së Shahut të Vjenës, u hap solemnisht turneu dhe nisën lojërat. Shahistë nga 14 nacionalitete me banim në Vjenë, përgjatë një javë do të masin forcat e tyre mes veti, edhe atë duke bërë nga 7 lojëra, sipas sistemit zviceran.



