E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

NE DUAM PAQE ME RREZE – Cikël me poezi nga MUSTAFA V. SPAHIU

Para portave t’ylbereve,

Dëgjova kalimthi n’trumzë

Ç’thanë disa fëmijë me fantazi:

– Ne duan paqe,

Ne duan rehati – liri!

Në ne përflaket djalëria,

Bulëzon dashuria, brohoria,

Jeta lulëzon, diellnon –

T’ecim nga portat e rinisë;

Ta vizitojmë laboratorin e bletëve…

Njerëz zemërshpirtkulluar,

Njerëz zemërbardhë të mrekulluar,

Largonie perden e errësirës,

Flakni maskat e tmerrit!

Buzëqeshni si lilat me rruaza vese,

Grishni pëllumbat e bardhë,

Zgjeronie vallen miqësore –

Shtrinie shikimin në malbreze –

Oleandrore ditësh dantelore,

Sytë le t’iu shkrepin dashuri agimore.

– Ne s’jemi fëmijëri e luftës

(buzët tona duan pranverë)!

Edhe pse në Ne –

Ende plagët tuaja na sëmbojnë!

Ne duam vetëm siguri,

Ne duan vetëm rehati – liri! –

Mbi qepallat tona qiell kaltërosh,

Diell të ngrohtë t’ardhmërisë

Dhe pringrimin e barit galdosh!

Nuk duam, jo nuk duam!

Me luftë ta na frikësoni

(thotë një vocrrak shtatselvi),

Nuk duam ëndërrat tona

Të na zhdaravitën, –

Ne duam lojë e freski të përrenjve,

(të zbresim në pallatet e thneglave)!

Si gjithë fëmijët e botës – vetëm sytë

tanë le të puthen si vjollcat, si yjet e parë!

Ne duam vetëm rehati – liri! –

Mësim dhe dituri!

Fëmijët!

Janë një orë që s’ndalet kurrë,

Kurdiset nga ëndrrat e tyre…

NëAnamoravë,qershor1993

N  Ë  N  A    I  M  E 

– Përjetësisht i përulem hijes së saj –

Nëna ime –

s’kishte fustan mëndafshi t’Lahores,

flokët i kishte shpeshtake –

grunaja të Anamoravës,

erdhi nuse e re, u frutnua dhe u diellnua…

Nëna ime –

s’kishte unazë me xhevahir Hindustani,

I kishte gishtat e shpejtë – sovajkë! –

çdo ditë ia shtonte gjallërinë

shtëpisë pastërtinë – bujarinë,

prokopinë e katandinë –

s’e këpuste perin e pajtueshmërisë…

Nëna ime –

s’ishte zyshe, as profesoreshë

(me veshje kombëtare vesh),

I dinte të gjitha ninullat e rritës,

këngët e punës, këngët kreshnike,

ritet e motmotit, grishjen e shiut –

këngët e bletës, baladat e lashta,

epikën e trëndafilave – këngën e dasmës,

të çeizit – temenarat e nuseve me duvak;

përrallat popullore, misrat n’hamullore

(nafakëlindur me një çun dëshiri)

kithin e dashurisë në bebëza

dhe tërë emrat e luleve –

në pllajash e bregore…

Nëna ime –

kishte një kopsht – sofër hëne, – i

mbëltonte lulet më të kumakëta

(me aromë mahnitëse)

për zemrat e njerëzimit…

– Aty s’mbyllej porta guacë magjike –

pas kopshtit të nënës ishte një kopsht

blerak – si Kopshtet e Semiramidës,

me një qiell blu – Ujëvare të Mirushës,

aty – gërshetoheshin ëndërrat – mërli…

Nëna ime –

s’kishte makinë qepëse, as lavatriçe,

duart i kishte të zellshme – bletëbardha,

rrezet e diellit i bëheshin gjilpëra –

ylbereve ua huazonte arnat e larme

m’i qepte të grisurat në këmishë,

xhaketës e pantallonave..

Sa i lumtur isha me nënën time,

Sa i varfër jam për arnat e NËNËS!

Ndoshta e magjepsi amshueshmëria…

Dhèvendlindje, 1980,

Shkup, 1993.

      SI VINË ËNDRRAT

– Ëndrrat shpërndahen si rreze

ndër lule…

– poeti –

Oh, ëndrrat e fëmijëve – bukurezash,

kush mund t’ia qëllojë – ngjyrë korale,

– Deti s’ka mbarim… – kush e di? –

Pse i këpusin frenjtë e luspave t’peshqve,

Ëndrrat si burime, si pasqyrëza të lëvizshme dhe në sameridiane e cepash

çerdhohen?

Gjakojnë të hyjnë në çdo nënkresë

si rrezet e dashurisë lehtë lëshohen

– kutia hapet – dalin ëndrrat!,

me ngulmë futen në çdo portë, dritare

me oxhakpastruesin zbresin së tokthi,

bile edhe nëpër katinare guaskash, i

bartin kurrillat mbi krahë –

vijnë si albatros triumfi, ëndrrat

në qeshje – hedhur buzëdetit,

dallgëzohen bregliqenit…

Fshihen në sheshlogun e dhomës

flutura të padukshme

me radarët e tyre të përsosur

i kërkojnë fëmijët, gjyshelocet

(ku janë, e ku s’janë)

që t’u blerohen mbi qepalla,

duan t’i ndalin lodrat e tyre

për një çast, s’ka dorë që t’i zërë;

ua falin shiun e artë të gjumit

të sjellur nga kopshti magjik,

ato e ruajnë çelësin kaherë të kërkuar

për ta çelë botën fëmijërore –

është mbuluar me vellon më të bardhë,

ëndrrat në çdo oborr mbjellin shpresë

për çdo natë mjafton një ëndërr e azurtë

që vjen e lehtë si ninulla e nënës –

kënga e motrës, plisi i tatëloshit, duke

shfaqur dëshira – qiell i dëlirë –

s’i kanë parandier asnjëherë më parë,

e shfaqin lojën e fantazisë së fluturave

asnjëherë të sosur…

Si vijnë ëndrrat askush s’i di,

janë interesante kur vijnë –

burojnë nga romanet e kujtimeve,

përjetimeve, udhëtimeve, rrëfimeve

që s’kanë fund…

Banojnë në një gjol rrethuar me buzeqeshje

e fshehin shpirtin e pranverës së tyre…

Ziliqarët kot i lëshojnë skifterët,

për gjumin e niposhit tim, të fëmijëve,

çupërlinave sykaltëroshe,

kur të kumbon qetësia – trimëria,

aty zhdaraviten në të pesë anët,

duart e tyre të padukshme i lypin –

duart e vocrrakëve, për ta shtruar

vallen e re të ëndrrave – ato zgjohen

që menatë për t’i parë – yjet –

si buzëqeshin fëmijët në gjumë,

si shndërrohen në trëndafila,

si shilarzen në krrelat e fëmijëve,

ëndrrat e paralajmërojnë një at

me krah të kaltër me botën fëmijërore

mbi shalë telatini – bukurie e sihariqesh,

– Si vijnë ëndrrat – pahitëse…

Kush ua ndriçon rrugën?

Vargjet pëshpërisin me ylbere…

Shkup, 28maj1986

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Kulturë