E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

LULJETA GJOSHA-PASHOLLARI, ME LIBRIN E TRETË POETIK… (Pak radhë, nga takimi me të…) – Nga: Prof.Murat Gecaj , publicist e studiues

Luljeta Gjosha-Pashollari e M.Gecaj (Tiranë, 2 tetor 2019)

1.

Kishte disa kohë, që nuk e kisha takuar kolegen e miken e kahershme, poeten e njohur, Luljeta Gjosha-Pashollari…Kjo, sepse edhe ajo, nga nevojat jetësore, në këta vitet e fundit është përfshirë nga vala e emigracionit të shqiptaarëve. Sa në Greqi, por dhe në Itali, ajo ka punuar e vazhdon të derdhë djersën e saj edhe pse paksa e moshuar, për të përballuar nevojat jetësore, që ka!

Por, me gjithë këto ece-jake, Luljeta nuk ka rreshtuar së shkruari poezi, një nevojë e brendshme shpirtërore e saj. Këtë gjë, lexuesit tanë e kanë vërejtur edhe nga publikimet, që ajo  bën, herë pas here, në profilin Fb të saj dhe nëpër faqe të ndryshme Interneti etj.

Luljeta ka shkruar e botuar, në vite të ndryshme, librat poetikë: “Jargavanët e shpirtit” dhe “Lotët e zemrës”. Por, me merakun që t’i tubonte edhe poezitë e kohëve të fundit, ajo dërgoi në shtyp dhe kohët e fundit u publikua libri i ri poetik, me titullin, “Nën hijen e një dashurie”(Tiranë, 2019). Unë pata nderin, që këtë libër (ashtu si dhe dy të parët) ajo ma dhuroi sot, me shënimin dashamirës: “Me respekt, Profesor Murat Gecaj…Gjatë udhëtimit tim poetik, më vjen mirë që njoha një njeri më vlera ta shumta…Tiranë, 2 tetor 2019″.

Më parë, në Antologjinë nr.2, nga  3 Antologjitë e mia, për autore krijuese,  artiste e veprimtare të njohura shqiptare, kudo që ato jetojnë e punojnë në botë, kam patur kënaqësinë që të shkruaja edhe për librin e parë të Luljetës,”Jargavanët e shpirtit”. Titulli i shkrimit ishte: “Luljeta Gjosha-Pshollari: Dhimbje e mall’ i pashuar, për njeriun e zemrës…”. Ajo ia kushtonte tërë librin bashkshortit të saj, i cili e humbi jetën tragjikisht, në një aksident rrugor!? Ndërsa në Antologjinë nr.3, “Si  ujëvarë bjeshke…”(Tiranë, 2017), është botuar shkrimi i Luljetës, po për këtë ngjarje, “Rrëfim për një aksident tragjik”…

Kapakët e librit të ri, nga Luljeta Gjosha-Pashollari…

2.

Le të kthehemi, me pak radhë, të libri më i ri poetik i Luljetës, “Nën hijen e dashurisë”.Në 140 faqe, janë botuar 126 poezi të frymëzuara. Tematika e tyre është e larmishme, ashtu siç është edhe jeta njerëzore. Hyrjen e ka bërë redaktori i këtij vëllimi, Bledar Ylli. Në mbyllje, ai shprehet me këto fjalë domethënëse:

“Ishte kënaqësi dhe ndjehem i nderuar, që mikja ime, Luljeta, ma besoi këtë vëllim poetik. Jam i sigurtë që, shumë nga ju, kryesisht gjinia femërore, do ta gjeni vetën, tuaj aty mes shkronjave, që Luljeta radhiti  për ju. Ju jeni dhe kritiku më i mirë, për ta vlerësuar këtë vepër shpirtërore të Luljeta Gjosha-Pashollarit”.

Në këtë shënim të shkurtër për librin e ri të Luljetës, mund të ndaleshim gjatë, duke analizuar e shprehur mendime rreth poezive të saj. Mirëpo, po mjaftohem vetëm duke ua dhënë një strofë të njërës poezi, pra asaj që mban dhe titulli i këtij vëllimi poetik, gjithshtu, e lidhur ngusht me tematikën e dy librave të maparshëm të saj:

Pa ty, jeta më duket krejt pa vlerë;

pa ty, jam e humbur në këtë botë;

pa ty, zemra s’më rreh, si atëherëë;

pa ty, çdo gjë më duket e kotë!…

…Në mbyllje, e urojmë autoren Luljeta Gjosha-Pashollari, për këtë vëllim të ri poetik dhe dëshirojmë e shpresojmë, që ajo do ta vazhdojë në këtë udhë të mbarë, krijimtarinë e saj. Gjithashtu, i urojmë shëndet e mbarësi në punë dhe fëmijët, me familjet e tyre, t’i ketë sa më të gëzuar e të lumtur në jetë!

Tiranë, 2 shtator 2019

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Kulturë