Trevargsh nga Qazim SHEHU
+++
Bjeshkë me borë,
E mërkurë, 18 nëntor 2026
Trevargsh nga Qazim SHEHU
+++
Bjeshkë me borë,
Me kohë bardhësia
S`pati të tillë kurorë.
+++
Me orë vërtitem
Krojet e buzëqeshjes
U kthyen në stalagmite.
+++
U plak ky lis
Rrufetë duke pritur
Asnjë mbi të nuk ra.
+++
Gji i gurrës
Nga amë e tokës rrjedh
Udhëtarin deh.
+++
Vetja ime ngarkohet
Me grimca të ditës
Gurë të mëdhej.
+++
Ulërasin qentë
Për mungesë të bukës
As kocka s`u hedhin.
+++
Je qumësht zogu,
Butësi e këndellur
Trishtohet në pelin shtogu.
+++
Sa e sa burra
Rrotull të erdhën,
Flutur tek furra u dogjën.
+++
Nga drobitja largoj
Moshën që ikën
Në gotë rrezesh hurp ditën
+++
Shullëhet gjarpri në diell
Me cfurkun e dhëmbit
Ckërmit trishtimin e thellë.
+++
Moj e mira e folklorit
I largohesh nderit të humbur
Të vajzës së ish malësorit.
+++
Mëkati në litar
Kokëzohet
E pret shpatë e fjalës.
+++
Plagët e zemrës shërojnë
Njëra tjetrën në mote
Kur shpresë jep fjala jote.
+++
Don Kishoti nguli
Shtizën në asgjë
Bota flet për të.
+++
Na ikën ikjet
Për të mos ardhur më,
Qirinjtë ndizen pa u thënë gjë.
+++
Flakëron epsh i ditës
Ftohje e pritshmërive që s`vijnë
Dritat heshtin me harbim.
+++
Parajsa u shpik për ngushëllim
Vetëm ferri ekziston,
Duke të parë ty mjafton…
+++
Jeta griset
Në faqe gazetash
Kronikë të metash.
+++
Gjithë fjalët e deritanishme
Vijnë tek një pikë
Fjalën e fundit pa mbërritë.
+++
Shkumën e rrezeve
Mbush dielli me aromë
Duart e gjetheve lajnë hijet e vjetra.
+++
I trembem tundimit,
Djallit apokaliptik,
Do e hedh hapin jetik.
Aktualitet
Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e GjermaniOpinione
Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësoreAktualitet
Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendërAktualitet
Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në maleAktualitet
Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Veprimtari kulturore

