Në Deçan, nën organzim të Kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj, është bërë promovimi i librit “Krimet serbe nëKosovë-Rasti i Deçanit”, libër që prezanton krimet e kryera gjatë periudhës janar-qershor 1999 në territorin e Komunës së Deçanit, nga policia, ushtria dhe paramilitarët serbo-sllavë. Nëkëtë libër prezantohen dëshmitë e mbi 200 dëshmitarëve dhe viktimave, dëshmi të mbledhura gjatë periudhës korrik-dhjetor 1999, së bashku me Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG).Përmes këtij libri jemi munduar t’a dëshmojnë krimin gjenocidial të Qeverisë së ish-Jugosllavisë, ndaj popullatës së pambrojtur deçanase, në krye të së cilës qëndronte kryekrimineli Sllobodan Millosheviç. Në të gjitha ofensivat e ndërmarra në këtë anë të Kosovës, nuk ishin kursyer gratë, pleqtë dhe as fëmijët. Krimet e bëra në këtë anë, bazuar në dëshmitë e prezantuara edhe në këtë botim, ishin natyrash të ndryshme, duke filluar nga plaçkitjet, torturimi psikik e fizik, djegia e shtëpive, granatimi dhe shkatërrimi i objekteve kulturore, historike dhe fetare, pastaj plagosje, arrestime dhe burgosje, vrasje dhe djegie kufomash, ekzekutime në masë, si dhe dhunime seksuale.
Jam i vetëdijshëm se nuk kam mundur t’i pasqyroj në këtë botim tërë krimet serbe të kryera në të gjitha lokalitetet Komunës së Deçanit dhe të Junikut, ngase ka qenë e pamundur të përfshihen të gjitha brenda kopertinave të këtij libri dokumentues dhe argumentues, njëkohësisht. Në anën tjetër, gjatë periudhës së mbledhjes së deklaratave kanë mbetur shumë dëshmitarë pa u intervistuar për shkaqe objektive, por edhe subjektive. Prandaj, disa periudha kohore në të cilat ka qenë i shtrirë terrori i makinerisë serbe, kanë mbetur të pa prezantuara, ose të prezantuara vetëm sporadikisht. Sigurisht se viti 1998, mbase shumë i rëndësishëm për t’u përshkruar i tërë terrori i ushtruar mbi popullatën e Deçanit dhe Junikut, mbetët jashtë këtij libri, pikërisht për vështirësitë e përmendura. Shpresojmë të mbushim këtë zbrazëtirë me një botim në një të ardhme jo të largët.
Nga dëshmitë e prezantuara del se vërtet krimi ka adresë. Se kriminelët kanë emër dhe mbiemër! Këto dëshmi të pasqyruara në këtë libër, sipas lokaliteteve dhe datave të zeza për shqiptarët e përndjekur e të persekutuar, edhe sot mund të shfrytëzohen nga institucionet e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare për të rehabilituar sado pak, të prekurit e të persekutuarit e ofensivave të përmendura.



