E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Berlinale: Me trup në Evropë, me zemër në Kosovë

“Në Mes”, filmi me metrazh të shkurtër që e solli Kosovën për herë të parë në Berlinale është debutimi i Samir Karahodës. Një poezi fotografike për Kosovën rurale.

Një sekuencë: Një tufë pëllumbash tek pushojnë mbi çatinë e zbardhur nga bora, befas ikin fluturimthi nga çatia, në tufë. Për një hop kulmi i shtëpisë mbetet i zbrazët. Pastaj kthehen dy sorra që duken se hulumtojnë terrenin. Në këtë peizazh monoton me dëborë seç ka diçka shqetësuese, paralajmëruese.

Një citat i një personazhi: “Nëse do të gjenin punë, do të ktheheshin që nesër”. Fjala është për të bijtë, të cilët gjenden në mërgim, e për të cilët folësi ka ndërtuar nga një vilë katërkatëshe: Pesë djem, pesë vila, të tëra njësoj.

Një citat nga biseda me autorin e filmit: “Kam ndenjur dikur me një mërgimtar në Vjenë. Kishte tërë jetën në Austri, por për sa ndenja unë me të, ai 90 përqind të kohës foli vetëm për Kosovën”.

Pakti i heshtur i traditës

“Nuk e di,” thotë personazhi i parë, “nëse këto shtëpi do t’ju pëlqejnë djemve.” Pesë djem dhe pesë vajza ka ai dhe të pestë djemve  u ka ndërtuar nga një vilë trekatëshe.  Një tjetër, vëllai i madh, u ka ndërtuar katër vëllezërve, në marrëveshje me ta, nga një vilë. Motrave jo, sepse ato ishin në gjendje të mirë. “Ato hoqën dorë vetë, me dëshirë,” thotë vëllai i madh, i ulur në mes të arës mes katër karrigeve të zbrazëta dhe para pesë vilave që ngjajnë si pikat e shiut.

Dhe kështu duket se është ngado nëpër fshatrat e Kosovës. Babai, ose i pari i familjes, i ndërton çdo mashkulli nga një shtëpi. Të zotët e shtëpive janë në mërgim, dhe gjasat që ata të kthehen dikur për të jetuar aty po bëhen gjithnjë e më të vogla. Në një vend që jeton kryesisht prej mërgimit e me një papunësi prej 29 për qind, as shifrat më optimiste të rritjes ekonomike prej 4,5 për qind nuk e nxjerrin pozitiv bilancin e kthimit. Të ardhurat për vilat tre-katërkatëshe sigurisht që vijnë nga mërgata. Tradita vazhdon edhe pse dobia ekonomike dhe sociale e saj mbetet me pikëpyetje të madhe:

Qielli i zhdymëzuar – Pamje nga filmi “Në Mes”

Visore të zbrazëta

Ditën fushat janë të zbrazëta, vetëm protagonistët dhe punëtorët e ndërtimit e popullojnë visoren. Kur bie muzgu vilat zhyten në terr, vetëm fenerët e rrugëve u japin njëfarë ndriçimi. Ditën qielli është i vranët. Monotoninë e peizazhit e prishin fjollat e dëborës, fëshfërima e shiut, ose vija e vetëtimës që zhdymëzon qiellin.

Njerëzit pozojnë të heshtur para kamerës dhe në sfond dëgjohet zëri i tyre që tregon. Pozimi gojëkyçur sikur e shton edhe më shumë efektin e vetmisë së dyfishtë, si për mërgimtarin e përmalluar ashtu edhe për të parin e familjes. “Ne takohemi këtu vetëm për dasma ose vdekje”, thotë një emigrant i ardhur për një dasmë, teksa pozon së bashku me katër vëllezërit e tij para kamerës. “Ne jemi me trup në Evropë, por me zemër në Kosovë”.

Filmi është i mbushur me pamje të tilla, fotografi të filmuara, portrete njerëzish, sa estetike aq edhe simbolike e që në rrjedhën e narracionit formojnë një poemë fotografike për Kosovën e sotme rurale. Samir Karahoda thotë se sfida më e madhe ishte te titulli. Dy muaj iu desh për të gjetur atë togfjalësh kaq të thjeshtë që do t’i përmblidhte të gjitha: “Mërgimin, dashurinë për vendlindjen, për familjen, identitetin e dyfishtë të shqiptarëve të Kosovës që ende vazhdojnë të festojnë me dy flamuj nëpër dasma”.

Nga fotografia tek kinematografia

Pëllumba mbi çati – Pamje nga filmi “Në Mes”

“Në mes” ka dalë nga një projekt fotografik i vitit 2011. Fotografia është profesioni i parë i  42-vjeçarit të lindur në Prizren. Artin e fiksimit të pamjeve në celuloid  e ka mësuar nga profesorët e  Universitetit të Arteve të Bukura “Mimar Sinan” në Stamboll, ku kreu studimet për fotografi, dhe e ka ushtruar në Kosovë, ndër të tjera edhe me filmin mjaft të lëvduar dhe të laureuar të Isa Qosjes, “Kukumi” (2005).

Kontakti me fotografinë nisi rastësisht, kur ishte 15-vjeçar dhe e ëma lëngonte nga një sëmundje e rëndë  dhe halla, për ta larguar nga zymtësia e krijuar në familje, e dërgoi te djemtë e saj që kishin një studio fotografike në Prizren. Pesë  ditë më vonë do të humbte nënën, por do të fitonte një pasion të ri: “Kuptova se fotografia ishte ajo qe me bënte te lumtur”, thotë Samir Karahoda, i cili, pas katër vjetësh përvojë me fotografinë komerciale vendosi ta kthente pasionin në profesion dhe shkoi ta studionte në Universitetin e Arteve të Bukura në Stamboll. Tek kjo përzgjedhje nuk ndikoi afria tradicionale e Prizrenit me Turqinë dhe turqishten, por një shkak më i rëndomtë: “Ishte i vetmi vend ku mund të shkoja pa vizë”.

Kalimi nga fotografia te kinematografia erdhi në mënyrë më graduale, teksa punonte nëpër filma dhe video si mjeshtër ndriçimi: “Xhiruesit ne përgjithësi nuk e njihnin konceptin e ndriçimit dhe puna ime nuk reflektohej ashtu si duhet për shkak te mos njohurisë së tyre, kështu që vendosa të punoja vet edhe si xhirues/kinematograf.”

“Në mes” e vërteton mjeshtërinë e Samir Karahodës për të rrëfyer mes fotografish të fuqishme gjendjen shpirtërore të një kombi. Pjesëmarrja e filmit debutues në Berlinale do të hyjë në historikun e kinematografisë kosovare, sepse është hera e parë që Kosova merr pjesë zyrtarisht në këtë festival. Një përzgjedhje që sa e befasoi aq edhe i jep zemër kineastit të ri që, siç i thotë ai DW-së, të vazhdojë në këtë rrugë. “Përsa kohë  që kam ç’të tregoj, dua të vazhdoj me kinematografinë”. Dhe Kosova ofron plot pr te rrëfyer: Projekti i tij aktual është filmi “Hana” i regjisorit Ujkan Hysa që trajton historinë e një femre të përdhunuar gjatë Luftës./.Anila Shuka / DW/

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Kulturë