E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

“All because… of you”, “Valixhe ëndrrash mbushur me mall” – Nga Dr. Rovena VATA

Sot na ka bërë bashkë të gjithëve ne, Xhemi Nokshiqi Muzai, vajza nga Tropoja, e cila ka sjellë për lexuesin, librin e saj të parë me poezi “All because… of you”., të botuar nga shtëpia botuese Nacional. Si fillim duhet ta përgëzojmë autoren e këtij libri, duke i uruar asaj suksese e qoftë ky libër një ugur i mbarë në rrugën e gjuhës së shpirtit, pasi thuhet se fjala del nga del shpirti, e shpirti bëlbëzon të vërtetën që përjeton.

Sa herë ngjitesh lart në qiell ti percepton hartën e vendit tënd, e në këtë rast autorja percepton atë të Shqipërisë, duke i bashkangjitur asaj edhe ato troje të cilat sot nuk janë pjesë e kufijve zyrtarë të Shqipërisë, por që përbëjnë Shqipërinë etnike. Duke krijuar kështu një qilim shumë ngjyrësh, i cili krejt papritur të çon në një dimension tjetër, e kështu ndjehesh më i dashuruar pas tokës, por edhe pas qenies tënde.

Xhemi na vjen pikërisht kështu në poezitë e saj, ku lumi i Valbonës dhe mali i Sulbicës thërret në mes të Neë Yorkut, si një autobiografi në vargje, madhështinë e kristalit të ujit dhe hijes së maleve të larta, duke na treguar edhe një herë se guri peshon rëndë vetëm në vendin e tij. Malet shqiptare janë madhështore edhe për qeniet që gjallojnë brenda tyre, për mitet, legjendat, zanat dhe shtojzovallet, duke na kujtuar se kultura e huaj nuk e ka transformuar aspak autoren, duke ruajtur amanetin e kultit të të parëve, kultit të diellit, kultin e gjuhës së zemrës, gjuhës së nënës, kultit të vatrës, kultit të zjarrit. Kjo hartë e madhe përfaqësuese nga Vermoshi, Dardania, Çamëria, Nikshiqi, Plava, Gucia, Ilirida, po si Fishta që krijoi kryeveprën e tij me Lahutën e Malsisë, autorja vjen në këtë libër më poezi me poezinë: “Nokshiqasit luftën fillojnë”. Në këtë poezi autorja na kujton betimin e djemve dhe vajzave shqiptare për të cilët shkroi edhe historigrafia shqiptare dhe jo vetëm. Betimi për mbrojtjen e trojeve dardane, të cilët kanë si shenjë identiteti shqiponjën dhe flamurin, ku kutojmë vargjet:

Nokshiqas jemi e kemi gjak iliri,

zemër shkëmb e zjarr prej graniti,

bijë dardanësh në rrjedha shekullore, 

fluturon shqipja në tokën arbërore…

Vargjet e kësaj poezie sjellin në kujtesën historike të dëshmive, fakteve historike për marrëveshjet e fshehta të cilat sot e kësaj dite qëndrojnë të vulosura, ku në ato letra është shkruar fati i trojeve shqiptare, i kësaj harte të dhëmbëzuar nga gjakatarët e Fuqive të Mëdha.

Vitet 1880 në arkiva ndry,

marrëveshje kobi Turqi-Rusi,

me zhba e tret’ Nanën Shqypni,

me marrë Nokshiqin, Plavë e Guci..

Nëpërmjet vargjeve të kësaj poezie gjejmë emrat e figurave që kanë dhënë kontributin e tyre për ruajtjen e identitetit shqiptar, si:  Ali Smajl Mekuli, katër vllaznitë, siç janë Mekuli, Buçajt, Mehaj, Selimi, Ali Pashë Gucia, i cili u prin trimave me simbolet kombëtare, si një dallgë e egërsuar që vjen nga deti sjell lirinë Jakup Ferri. Zhujë Selmani rri në krah të zanave, për t’i dhënë forcë, duke mos u lejuar pushtuesve pushtimin.

Përveç kësaj autorja i ka kushtuar poezi edhe ndjenjës më sublime në jetën e çdo njeriu, dashurisë, por jo vetëm, përmes poezive: “Dashurinë më vrave”, “Eja ti”, Më çmend kurmi yt”, “Dashuria e parë”, “Dashuria”, “Dashuritë” etj.

Por gjatë këtij fluturimi u ndjeva jo vetëm e dashuruar, por herë herë si një Helenë e herë herë si një Penelopë, derisa shkela në tokë. Graviteti i tokës nënë më zgjoi rrënjët, ku më lidhen këmbët. E mbështolla trupin tim dhe aty gjeta mallin e prindërve, lotët e nënës dhe u ndejva pema e familjes, ajo çfarë të bën të jesh ekzistent.

Kujtojmë poezitë “Gjuha dhe fjala”, “Nënë moj”, “Te burimi”, “Pema”, “Te një krua”, “Ngrohtësia e nënës”, “Dheu i ëmbël”.

Në poezitë “Enigma”, Udhëtari i shpresës së thyer”, Çarçafi i mumjes”, poetja ngreh paradigmat e jetës mbi fenomentet e dy qytetërimeve të ndryshme, por ama duke mos harruar asnjëherë rrënjët e saj.

Koha që ne këmi në dispozicion për të folur për autoren dhe librin e saj është e pamjaftueshme për të paraqitur të gjithë elementet, që ajo ka trajtuar në këtë libër, për këtë arsye tashmë i mbetet lexuesit për ti zbuluar ato./gazeta nacional/

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Kulturë