E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

ALKIMIST I TË SHPREHURIT ESEISTIK (Ali Sutaj dhe e shtuna e “Lapsit të kuq” të tij)

I prisja me padurim dhe i lexoja (e rilexoja nga disa herë) me shumë pasion, shkrimet e tij (të rralla). “Lapsi i kuq” (i tij) të shtunave ishte kënaqësia e leximit të javës. Aty ai nënvizonte, theksonte (vërtet) me “laps të kuq” tema, që preknin aktualitetin e rëndë, por që ai i trajtonte në mënyrën e tij dhe për to përherë përcillte mesazhin e tij të veçantë.

Nga Gani BYTYÇI

Ali Sutaj, së pari ishte mësues por unë nuk e kam njohur atëherë. Nuk e kam njohur as kur e ka nisur gazetarinë. Atë e njoha shumë vjet më vonë, në vitet e kulmit të gazetarisë, publicistikës dhe eseistikes, që ai e bëri sistem. Pra, atë e kam njohur në vitet ‘80. Ishte i thjeshtë, miqësor e modest. I vëmendshëm dhe me shumë respekt ndaj tjetrit. Vrojtues i kujdesshëm, i thellë në mendime dhe në zbërthimin e problemeve që trajtonte. Pa studime të larta e me renome, që zakonisht njerëzit u referohen, por me një horizont, dije e kulturë të përgjithshme brilante. Ishte i pasionuar pas letërsisë e artit dhe njohës i shkëlqyer i tyre. Letërsinë shqipe e njihte në tërësinë e saj të plotë. I çmonte lart shkrimtarët e traditës. Admirues (fanatik) i Gjergj Fishtës. Në të vërtetë, mbi këtë frymë letrare e kulturore të përgjithshme (të traditës), që e njihte shkëlqyeshëm, ai e kishte ndërtuar edhe profilin e vet intelektual e krijues. Motiv frymëzues i kishte autorët e traditës. Çdo varg i Fishtës për të ishte një libër i tërë, një filozofi më vete. Atë e njihte në frymën e thellë e të tërësishme të tij. Gjergj Fishta kurrë nuk ishte i ndaluar për të. Atij ia kujtonte ditëlindjen dhe ia njihte mirë jetën. Ditëlindjen e Fishtës ai përherë e shënonte me ndonjë varg, me ndonjë thënie ose ide të tij. Ndonjëherë edhe me ndonjë shënim të tërthortë. Po atë, na e kujtonte gjithsesi. Fishta për të ishte (përherë) i gjallë. Në të vërtetë, ai i kujtonte të gjithë shkrimtarët, që ishin të anatemuar. I njihte dhe i çmonte vlerat supreme letrare, kulmet e letërsisë. I kishte të veçantë Kutelin, Konicën, Kadarenë, Agollin, Martin Camajn, Petro Markon … I vlerësonte lart: Shekspirin, Kafkën, Kamynë, Cvajgun, Balzakun, Dostojevskin, Kërlezhën, Danilo Kishin e të tjerë… Sa e sa herë më kishte folur për eseistiken e Kërlezhës, të cilën (më vonë) e studiova me pasion. Ishte fanatik i mendimit të thellë e shterues. Mjeshtër i papërsëritshëm i fjalës, i cili temat e mëdha e tepër të ndjeshme, i kthente në të shprehur eseistik. Se ku i gjente e nga i mblidhte ato copëza mendimesh filozofike, aforistike, nga gazeta, revista e libra… I nënvizonte, i kufizonte, i priste, i ruante, i përkthente… Pastaj u gjente vend (diku) në tekstet e tij, ku i nxirrte si mesazhe tekstuale…

Disa herë më kishte dhënë copëza të tilla nga vepra e Danilo Kishit (kur unë atë akoma nuk e njihja me tamam).

– Merri këto tekste dhe, të lutem, m`i përkthe se më duhen, më kishte thënë. E dija që ai ato tekste mund t`i përkthente me një të hedhur sy. Pastaj e shihja që ato shkrime e mendime (të përkthyera) i nxirrte diku e për ndonjë rast të veçantë.

Shumë kohë më vonë e kuptova arsyen pse më jepte të përktheja tekste të D. K. Ishte dëshira e tij që të më fuste në veprën e shkrimtarit më të njohur (disident) të kohës.

Ai kishte njohuri të thella e të kompletuara letrare dhe artistike.

Besimi (që më krijoi) për të shkruar

Kisha nisur të shkruaja e të botoja ndonjë poezi a tregim. Ndonjëherë edhe ndonjë ese. Kur e takoja, më thoshte “ta kam lexuar e rilexuar shkrimin”… Unë nuk i besoja asaj që dëgjoja. Një mjeshtër i fjalës (siç ishte ai), një stilist i hollë i saj, një artist, që me aq pasion e latonte fjalën e shkruar dhe e thellonte mendimin letrar e estetik të saj, të më thoshte se i ka lexuar e rilexuar ato pak gjëra që unë shkruaja atëherë, ishte krejt e pabesueshme. I prisja me padurim dhe i lexoja (e rilexoja nga disa herë) me shumë pasion, shkrimet e tij (të rralla). “Lapsi i kuq” (i tij) të shtunave ishte kënaqësia e leximit të javës. Aty ai nënvizonte, theksonte (vërtet) me “laps të kuq” tema, që preknin aktualitetin e rëndë, por që ai i trajtonte në mënyrën e tij dhe për to përherë përcillte mesazhin e tij të veçantë. Pas vitit 1981, kur urrejtja shoviniste e pushtuesit kaloi në dhunë të pashembullt e çnjerëzore, shkrimet e tij ishin aq goditëse. Duke rrëfyer ngjarje jete, ai krijonte metafora me të cilat përcillte mesazhin e tij të qartë.

Të gjithëve (neve të atyre gjeneratave) na kujtohet se si u bë temë dhe sa urrejtje u derdh rreth natalitetit tonë. Sa fyerje u bënë në adresë të femrës-nënë. Fëmija i tretë i prindërve shqiptarë, nga regjimi pushtues, u bë i jashtëligjshëm! Nuk di ta kenë njohur Evropa e bota këtë barbari, këtë krim, këtë ndjenjë antinjerëzore. Atëherë, ai e pati shkruar atë esenë e tij »Nëna e 12 fëmijëve». Një apologji e vërtetë, që i bënte amësisë, gruas-nënë, jetës së re, lindjes së fëmijës, qoftë ai edhe i dymbëdhjeti. Ai lindjen e ktheu në kult. Për ta shijuar e për ta kuptuar bukurinë, thellësinë dhe magjinë e asaj kryevepre eseistike, ajo duhet lexuar. Ai niste nga një restorant i kryeqytetit, në një kënd të të cilit dy të rinj flisnin për dashurinë. Nga jashtë vinte jehona e një kënge, që (po ashtu) për motiv kishte dashurinë. Në stacionin e autobusëve, një nënë e re po i jepte gji foshnjës së saj. Dhe, ai, diku në një libër, nënvizonte (vërtet) me laps të kuq letrën, që një nënë i shkruante të birit në kurbet.

– Biri im i dashur, më janë verbuar sytë nga malli, i thoshte nëna të birit.

– Eja në shtëpi, djali i nënës. Toka po e bën bereqetin. Bukë e bulmet kemi. Edhe kopshti po na jep perime, vazhdonte nëna.

– Eja, biri i lokes, se jam mërzitur shumë. Skamje kemi pasur gjithmonë, po, ja, unë ju rrita të dymbëdhjetëve, i bënte thirrje nëna djalit të saj.

Kështu disi ishte ajo ese-kushtrim e tij e papërsëritshme. Dhe ajo thirrje, ai mesazh që bëhej, shkruhej e zeza në të bardhë. Kjo thuhej atëherë kur fjala vriste. Kur ajo gjykohej, dënohej. Vritej. Bëhej tabu. Ndalesë. Kthehej në mallkim. Dhe kjo fjalë, e shkruar, si me magji, shndërrohej në mesazh. Bëhej kushtrim për qëndresë. Kjo ishte diçka madhështore, që sapo e lexoje të krijonte një përjetim të veçantë, një madhështi brendapërbrenda vetes! Ai, vërtet, ishte magjistar i të shprehurit eseistik.

Kishte intuitë të veçantë ndaj ngjarjeve

Kish shumë vjet që ishte ndarë me alkoolin. Madje nuk e pinte asnjë pikë. Nuk e kishte bezdi të rrinte me miq, edhe kur pihej alkool. Këtë e kishte bërë shumë herë. Ndodheshim në Janjevë, ku shkonim ndonjëherë. Të gjithë ishin gazetarë. U tha se po flitej që shteti i atëhershëm, në prodhimet e qumështit, që prej andej vinin në Kosovë, kishte futur një materie për sterilizim të shqiptareve. Ai aty e hodhi mendimin që të publikohej kjo përflitje, në kuptimin pse përhapen dezinformata dhe kështu të nxitej një studim-hetim rreth atij shqetësimi. Ai kishte një intuitë të veçantë ndaj ngjarjeve dhe problemeve. Mendësinë djallëzore dhe urrejtjen e fqinjëve tanë (pushtues) i njihte në thelb. Ishte njeri me njohuri, dije e përvojë të rrallë historike, shoqërore, letrare e artistike.

Ali Sutaj i përket plejadës së gazetarisë së epokës së “Lapsit (të kuq)”, që ka përfunduar, ngase këtë hapësirë, tashmë e ka pushtuar gazetaria digjitale (mbase edhe diletante).

10 prill, 2021

Cyrih

Postoi: Sh. Dibrani
Marrë nga Gazeta FAKTI: http://gazetafakti.com/?p=4888

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Kulturë