Parlamenti i Shqipërisë miratoi në unanimitet një rezolutë në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës. Mbështeten sanksionet kundër Rusisë.
Rezoluta e cilëson agresionin rus “një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, shkel hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si edhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh, që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.” Përmes kësaj rezolute Parlamenti i Shqipërisë ”mbështet sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmarra nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse si edhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj”.
Parlamenti i kërkon qeverisë Rama “të vazhdojë angazhimin, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha vendet aleate në NATO, BE, Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, OSBE, Këshillin e Europës dhe partnerë të tjerë për të mbështetur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe sigurisë europiane”. Rezoluta kërkon “forcimin me prioritet të përpjekjeve për integrimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit si mbështetjen e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”.
Një amendament, i kërkuar nga deputeti i LSI, Petrit Vasili, që në rezolutë të përfshihet edhe një kërkesë e Parlamentit drejtuar qeverisë për të nxjerrë Shqipërinë nga nisma “Ballkani i Hapur” dhe të shfuqizojë marrëveshjet e deritanishme të kësaj nisme, në kushtet kur Serbia mban qëndrim në mbështetje të Rusisë, nuk u miratua.
Rruga “Ukraina e Lirë” para ambasadës ruse në Tiranë
Me një vendim unanim, Këshilli Bashkiak i kryeqytetit emëroi të hënën “Ukraina e Lirë” rrugën para ambasadës ruse, ku ndodhen edhe ambasadat e Ukrainës dhe të Serbisë. “Vendimi është një mesazh që po jepet nga shumë qytete. Ambasada e Rusisë, do të duhet që, si gjithë ambasadat e tjera që ndodhen aty, të shkruajnë në kartëvizita adresën në rrugën “Ukraina e Lirë,” tha kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Shoqëria civile dhe qytetarët e Tiranës kanë protestuar kundër agresonit rus ndaj Ukrainës, në rrugën që të hënën u emërua ”Ukraina e Lirë”.
Sulme në Kharkov, ku një sulm ajror shkatërroi edhe konsullatën e Shqipërisë
Sulmi ajrur rus shkatërron konsullatën e Shqipërisë në Kharkov