Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), si një nga projektet më strategjike në Evropë, ka arritur me sukses mbylljen financiare të projektit në dhjetor 2018, duke siguruar 3.9 miliard Euro – financimi më i madh i miratuar për projektet infrastrukturore në Evropë gjatë vitit 2018.
Luca Schieppati, Drejtori Menaxhues i TAP, tha: “Me arritjen e mbylljes financiare, TAP ka arritur një tjetër moment të rëndësishëm drejt përfundimit të projektit. TAP është vullnetarisht i përkushtuar në zbatimin e standardeve mjedisore dhe sociale të kërkuara nga institucionet financiare ndërkombëtare. Për rrjedhim, janë marrë të gjitha masat që kanë siguruar përmbushjen e këtyre standardeve nga ana e TAP, duke përfshirë edhe vlerësimin e plotë për mjedisin dhe ambientin social. Tashmë që financimi i projektit është përfunduar, TAP mund të vijojë me përmbylljen e ndërtimit dhe fillimin e transportimit të gazit nga Shah Deniz II në 2020 ”
“Si Bankë e Bashkimit Evropian, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) njeh kontributin e rëndësishëm në përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji në Evropë që Gazsjellësi Trans Adriatik do të sjellë. Ne kemi ofruar 700 milionë Euro për projektin më të madh të energjisë që po ndërtohet aktualisht në Evropë. BEI është i kënaqur që ka qenë një nga huadhënësit e rëndësishëm për projektin, së bashku me BERZH dhe institucionet e tjera kryesore financiare. BEI mirëpret bashkëpunimin e ngushtë të vazhdueshëm mes të gjithë partnerëve të projektit për të siguruar që ndiqen praktikat më të mira mjedisore, sociale dhe teknike.” tha Andrew McDowell, Zëvendës Presidenti për energjinë në Bankës Evropiane të Investimeve.
Nandita Parshad, Drejtoresha Menaxhuese për Infrastrukturën e Qëndrueshme në BERZH, tha: “Gazsjellësi Trans Adriatik do të vendosë themelet për një treg të integruar të gazit në të gjithë Evropën juglindore dhe do të përmirësojë statusin strategjik të rajonit si një qendër energjetike. Ne besojmë se gazi mbetet një karburant i rëndësishëm tranzicioni në këtë rajon që mund të ndihmojë në uljen e përdorimit të qymyrit dhe në lehtësimin e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme “.



