Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) publikoi në mesjavë raportin e tremujorit të parë të vitit 2025 për tregun e sigurimeve në Shqipëri. Nga të dhënat e këtij raporti, SIGAL mbetet kompania lidere, si në sigurimet e jetës, ashtu edhe në ato të jo-jetës.
Sipas raportit të AMF-së, vëllimi i përgjithshëm i tregut të sigurimeve u rrit me 7.09%, duke arritur në 5,598,428,000 lekë për periudhën janar-mars 2025. Kompania kryeson për primet e shkruara bruto dhe për dëmet e paguara. Në treg, prime të shkruara bruto në sigurimet e jetës shënuan një rritje prej 13.67%. Vëllimi arriti në vlerën 530,828,000 lekë, ndërsa në sigurimet e jo-jetës u regjistrua një rritje prej 6.45%, në vlerën 5,063,620,000 lekë. Ndërkohë, dëmet e paguara ranë me 3.77%, duke u regjistruar në 1,920,827,000 lekë.
SIGAL vijon të mbajë pozitat e para në treg. Kompania zotëron 33.83% të tregut në produktet e sigurimeve të jetës dhe 25.32% në sigurimet e jo-jetës, sipas primeve të shkruara bruto.




