Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është përpjekur t`i japë përgjigje pyetjes “1 milion dollarëshe”: “Çfarë duan shqiptarët për të mos ikur nga vendi i tyre?”.
Përgjigja përkthehet në vlerë monetare, por përpara se të shkojmë deri aty, duhet të kemi parasysh se, sipas BERZH, Shqipëri është ndër vendet më problematike në drejtim të emigrimit, madje sipas raportit më të fundit të BERZH, është vendi që do ta vuajë më shumë në tkurrjen e forcës së punës, emigrimin neto.
Ky fenomen do të kontribuojë në tkurrjen me 11% të popullsisë në gjendje pune. Madje, BERZH tregon edhe se në Europë nuk ka asnjë popull tjetër me dëshirë kaq të lartë për të migruar sesa shqiptarët. Vlerësimet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim arrijnë në përfundimin se një rritje e pagës mesatare mujore do të eliminonte dëshirën e shqiptarëve për të braktisur vendin. Por, sa do të duhej të ishte kjo rritje? Plot 477 dollarë në muaj thotë raporti, ose 424 euro.



