Sot, më 25 korrik 2018, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Gramoz Ruçi, priti në takim Kryetarin e Partisë Demokratike të Luginës së Preshevës, Z. Ragmi Mustafa.
Gjatë takimit u diskutua mbi situatën në tre komunat me shumicë shqiptare të Luginës dhe shtimin e përpjekjeve e të bashkëpunimit për prosperitetin, mirë-integrimin e shqiptarëve në institucionet e qeverisjes qendrore dhe respektimin e të drejtave të tyre themelore, bazuar në standardet ndërkombëtare.
Kryetari i Kuvendit Ruçi vuri në dukje se përmbushja e kërkesave të shqiptarëve të Luginës mbetet një përparësi e posaçme e Kuvendit dhe e Qeverisë së Shqipërisë. Ai përshëndeti Deklaratën Politike të Aleancës së Komunave shqiptare, të datës 14 korrik, si provë e bashkimit në një zë të faktorit shqiptar të Luginës dhe artikulim i qartë i të drejtave të popullsisë shqiptare në Serbi.



