Blerjet online janë një nga lehtësitë që kanë përfituar njerëzit me zhvillimin e teknologjisë. Me shpejtësinë e një kliku mund të blesh produkte pa qenë nevoja që të orvatesh në dyqane për të gjetur atë që kërkon pa u kufizuar brenda kufijve të shtetit tënd. E ndërsa bota po rend drejt veprimeve online, Shqipëria renditet e fundit ndër vendet anëtare dhe kandidate të BE-së për blerjet online.
Shqipëria është vendi me përqindjen më të ulët të blerjeve online në krahasim me vendet e Bashkimit Europian dhe kandidatëve për anëtarësim. Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës, 85% e të pyeturve kanë deklaruar se nuk kanë kryer blerje online dhe 15% kanë deklaruar se kanë bërë blerje online. Ndër vendet kandidate përqindjen më të ulët të blerjeve online pas Shqipërisë e ka Maqedonia, ku vetëm 25% të të anketuarve kanë deklaruar se kanë kryer blerje online. Në Malin e Zi, Serbi dhe Turqi, përqindja e të anketuarve online që kanë deklaruar se kanë bërë blerje online varjon nga 31 në 34%.
Mesatarja e të anketuarve në Bashkimin Europian që kanë deklaruar se kanë kryer blerje online është 67%.





