Në Shqipëri, rastet e reja me Covid 19, shënuan një rënie të fortë në javën e fundit (15-21 shkurt), sikundër dhe viktimat e pacientët e shtruar në spitale. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se bëhet fjalë për një tendencë që vijon që prej katër javësh. Në total janë rregjistruar 1964 të infektuar, 45.7 përqind më pak se java pararendëse, ose niveli më i ulët që prej fundit të muajit dhjetor. Mesatarja ditore rezulton të jetë prej 280 rastesh në ditë.
Në 24 orët e fundit sipas Ministrisë së Shëndetësisë numri të prekurve rishtaz ra në një nivel prej 85 të prekurish të shpërndarë në 23 bashku të vendit: 23 në Tiranë, 10 në Berat, 8 në Sarandë, 7 në Fier, nga 4 qytetarë në Peqin, Vlorë, Durrës, nga 3 qytetarë në Lezhë, Lushnje, Mallakastër, nga 2 qytetarë në Gramsh, Gjirokastër, Mirditë, nga 1 qytetar në Kukës, Tropojë, Kavajë, Selenicë, Delvinë, Dropull, Përmet, Këlcyrë, Pogradec, Poliçan.
Në 24 orët e fundit edhe pozitiviteti (raporti mes rasteve dhe testimeve) zbriti në nivelin e 4.8 përqind, ndërsa mesatarja e javës së shkuar ishte 12.4 përqind, ose 6.2 pikë përqindje më pak se në javën pararendëse. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet. Edhe rastet ende aktive janë tkurrur ndjeshëm duke zbritur në një total prej 3969 personash që rezultojnë të jenë të infektuar.



