Paratë që emigrantët sjellin në shtëpi kanë shënuar një rritje të ndjeshme përgjatë viteve të fundit.
Sipas statistikave të publikuara nga banka e Shqipërisë, remitancat (prurjet e emigrantëve) arritën në 670 milionë euro në vitin 2018, duke u rritur me 5.3% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë që nga viti 2012, teksa një vit më pas në 2013, prurjet e emigrantëve arritën në nivelin më të ulët që pas viteve ’90, duke zbritur në 545 milionë euro. Rënia e tyre ishte e pritshme, pas maturimi të ciklit të emigracionit, ku individët që kanë ikur (fluksi më i madh ishte mes viteve 1990 dhe 2000), pas 10-15 vitesh krijojnë familjet e tyre dhe fillojnë e shkëpusin lidhjet me vendin mëmë. Por, pas vitit 2013, prurjet e emigrantëve filluan të rriten sërish, për të arritur në 2018-n, ku rritja në vlerë absolute ishte rreth 34 milionë euro, më e larta e gjashtë viteve të fundit.

Vitet e fundit, si rezultat i tendencave të reja migratore të shqiptarëve në drejtim të vendeve të Europës Perëndimore, duke sjellë në këtë mënyrë edhe një “rifreskim” të diasporës shqiptarë në Perëndim, vërehet një tendencë pozitive e remitancave, e cila lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me këto lëvizje migratore dhe suportin e emigrantëve për familjet e tyre në Shqipëri (shifra këto të konfirmuara tashmë edhe nga statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë). Referuar edhe përvojave të tregut, edhe në vitet në vijim, si rrjedhojë e fenomenit të mësipërm do të vijojë të ketë një trend pozitiv dhe/ose të qëndrueshëm të flukseve të remitancave në vend.




