Mbi 46 milionë euro do të japë Gjermania për Kosovën për vitet 2018 – 2019, del në pah nga një përgjigje e qeverisë gjermane ndaj grupit të djathtë parlamentar “Alternativë për Gjermaninë” (AfD)
Qeveria Gjermane ka planifikuar si ndihmë zhvillimore për Kosovën për periudhën 2018-2019 një buxhet prej 46,1 milionë euro, prej të cilave 23,7 milionë janë në bashkëpunimin teknik dhe 22,4 milionë në bashkëpunimin financiar. Kjo bëhet e ditur nga një përgjigje e qeverisë gjermane ndaj një pyetjeje të grupit parlamentar të partisë Alternativë për Gjermani (AfD).
Tre rezultatet kryesore të këtij bashkëpunimi, sipas qeverisë Gjermane janë: furnizimi me ujë të pastër dhe të vazhdueshëm 24-orësh në rajonin e Prishtinës; ngritja e Qendrës Gjermane të Informacionit për Migracion, Arsim Profesional dhe Karrierë (DIMAK) në Prishtinë, synimi i së cilës është të parandalojë migrimin e parregullt dhe të ofrojë asistencë për kthyesit nga Gjermania; si edhe forcimi i institucioneve dhe organeve në Kosovë, si për shembull me ngritjen e një sistemi për menaxhimin e mbeturinave, thuhet në dokument. Qeveria gjermane raporton se si pasojë e tij, në vitet 2016-2017 janë mbyllur më shumë se 500 deponime ilegale mbeturinash, ndërsa të ardhurat nga tarifat e shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave në vitin 2018 u rritën deri në 2 milionë euro në vit.
Gjermania i ka dhënë Kosovës nëpërmjet bankës shtetërore gjermane Kreditanstalt für Wiederaufbau (Enti i kredive për rindërtim) këto dhjetë vite kredi prej 76,93 milionë Euro, prej të cilave Kosova i ka kthyer Gjermanisë deri tani 14,91 milionë Euro, bëhet e ditur në të njëjtin dokument.



