Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do ta ftojë përsëri presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të vizitojë Serbinë, si dhe do të “përpiqet të flasë” për Kosovën me disa bashkëpunëtorë të ngushtë të Trumpit. Ai tha se do të kërkojë mbështetjen për një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës.
Vuçiç i bëri këto komente kur u pyet për festimin në Kosovë të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, dhe deklaratën e bërë nga zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Metthew Palmer, se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë në anën e Kosovës.
“Natyrisht që Amerika është në anën e Kosovës dhe do ta mbrojë atë. Këtë e bëjnë edhe Gjermania dhe vendet e tjera të Kuint-it, dhe për ne problemi është më i madh dhe më i vështirë”, tha Vuçiç.



