E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

OBSH teston tre ilaçe për trajtimin e COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi për fillimin e testimit në masë të tre ilaçeve për trajtimin e mundshëm të sëmundjes COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Hulumtimi do të bëhet në 52 vende të botës dhe do të përfshijë mijëra studiues në mbi 600 spitale.

Ilaçet që do të testohen janë: Artesunate, i cili tashmë përdoret për trajtimin e malaries së rëndë; Imatinib, që përdoret kundër disa kancereve dhe Infliximab, i përdorur për të trajtuar disa çrregullime të imunitetit.

OBSH-ja tha se këto ilaçe u zgjodhën nga një panel ekspertësh të pavarur pasi u mor parasysh potenciali i tyre në zvogëlimin e rrezikut të vdekjes të pacientëve me COVID-19 të hospitalizuar.

“OBSH-ja është krenare që po udhëheq këtë përpjekje globale pasi zbulimi i terapive efektive mbetet një nevojë kritike”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus

Hulumtimi do të bëhet përmes platformës “Solidarity PLUS”, rrjeti më i madh i OBSH-së për bashkëpunim midis vendeve anëtare.

Pas një studimi të terapive të mundshme për trajtimin e COVID-19, studiuesit që përdorin të njëjtën platformë të OBSH-së, vitin e kaluar, arritën në përfundimin se remdesiviri, hidroksiklorina, lopinaviri dhe interferoni, kishin pak, ose aspak efekt tek pacientët e shtruar në spital.

Koronavirusi i ri ka vrarë mbi 4.3 milionë njerëz që kur u paraqit në Kinë në fund të vitit 2019.

Mbi 204 milionë njerëz në botë janë infektuar.

OBSH-ja ka dënuar vazhdimisht hendekun e madh në furnizim me vaksina kundër COVID-19 mes vendeve të varfra dhe atyre të pasura.

Të fundit

  1. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  2. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026
  3. Bota

    BE – Nga 1 nëntori tarifë e re prej 2 Eurosh për blerjet online nga jashtë Unionit
  4. Bota

    NASA – Pas 22 vitesh në hapësirë, teleskopi Swift drejt rikthimit në Tokë
  5. Shkencë dhe zbulime

    Energjia e erës dhe biodiversiteti: Miliona lakuriqë nate vdesin nga turbinat

Më shumë nga Aktualitet