Të hënën, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, vendosi të anulojë votat e dërguara me postë nga Serbia si dhe të çojë në rinumërim një mijë e 472 vendvotime.
Vendimi pasoi vlerësimin e mbi 100 ankesave që u paraqitën javën e kaluar nga partitë politike pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.
“Paneli 53 ankesa i ka pranuar si të bazuara, prej tyre lidhur me 52 ankesa paneli ka vendosur që të urdhëroj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e 1 mijë e 472 vendvotimeve. Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranojë të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në që të largoj nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia” thuhet në njoftimin për media të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.



