Shpenzimet e qeverisë për mbrojtje sociale ishin sa 9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, ku shpenzimet për mbrojtjen sociale janë 28.2% e PBB-së, qeveria shqiptare shpenzon 3 herë më pak. Në shpenzimet për mbrojtjen sociale përfshihen shpenzimet për papunësinë, shëndetësinë dhe pagesat e paaftësisë, ndihmat ekonomike, pagesat për të moshuarit dhe veteranët, etj. Megjithatë, edhe ndërmjet vendeve të Bashkimit Europian ka diferenca mbi përqindjen e shpenzimeve që shkojnë për mbrojtjen sociale.
Vendi me social i Europës është Franca, ku sipas të dhënave të Eurostat, shpenzimet qeveritare për mbrojtjen sociale janë sa 34.3% e PBB-së. Në përgjithësi vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore janë më sociale dhe shpenzojnë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian për mbrojtjen sociale mbi mesataren. Pas Francës, shpenzimet më të larta i ka Finlanda me 32% të PBB-së, Danimarka 31.6%, Austria me 30.3%. Mbi mesataren e BE-së janë edhe shpenzimet në Gjermani, Holandë, Suedi, Itali dhe Belgjikë. Ndërsa shpenzimet më të ulëta për mbrojtjen sociale i kanë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian peshën më të ulët të shpenzimeve për mbrojtjen sociale e ka Rumania, me rreth 15% të PBB-së.



