Vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të izoluara për shkak të përkeqësimit të gjendjes së përhapjes së Covid19. Së fundi edhe Kroacia riktheu në fuqi detyrimin për t’u karantinuar për 14 ditë. Deri tani shqiptarët mund të udhëtojnë pa kufizime në Kosovë dhe në Maqedoninë Veriore, ndërsa nuk ka ende garanci për hapjen e kufijve të BE-së pas 1 korrikut.
Pas rritjes së ndjeshme të rasteve të reja me koronavirus në vendet e Ballkanit, Kroacia rivendosi karantinën 14 ditore për vizitorët që vijnë nga rajoni. Deri tani kjo masë është për vizitorët nga Bosnja, Serbia, Kosova dhe Maqedonia Veriore, të cilët pasi të mbërrijnë në Kroaci do të duhet të vetizolohen për 14 ditë. Sipas ministrit të Brendshëm Davor Bozinovic, nga kjo masë përjashtohen qytetarët që kalojnë transit nëpër territorin e Kroacisë.
Vendi është përfshirë nga polemikat pas infektimit të tenistit serb, Novak Djokovic dhe bashkëshortes së tij, ndërsa kryeministri kroat Andrej Plenkovic, u vu në qendër të stihisë mediatike pasi nuk u vetizolua, ndonëse ishte takuar me Djokovic.



