Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, dënojnë sulmin rus ndaj Ukrainës dhe thonë po ashtu, se krahasimet që presidenti rus, Putin, ka bërë midis Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe Kosovës, janë të paqëndrueshme.
Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, dënuan agresionin ushtarak rus ndaj shtetit të Ukrainës, si dhe dënuan vendimin e Moskës që të njohë si shtete të pavarura dy rajonet lindore ukrainase, Luhansk dhe Donjeck, që kontrollohen nga separatistët pro-rusë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kyeparlamentari, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, në një deklaratë të përbashkët thonë, se “Strategjia e ndjekur nga Moska për të krijuar përmes agresionit ushtarak entitete fantazëm brenda territorit të Ukrainës, grumbullimi masiv i forcave ushtarake në kufijtë e Ukrainës dhe sulmi masiv dhe i paprovokuar kundër qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës është një ndër goditjet më të rrezikshme që i është bërë arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore”.
Sipas udhëheqësve politik të Kosovës, sulmi ndaj Ukrainës është sulm ndaj vlerave demokratike, ndërkaq, theksohet, se “në Ukrainë mbrohen vlerat universale të paqes, demokracisë dhe të së drejtës së popujve për vetëvendosje”. Po ashtu, në deklaratë thuhet se krahasimet që presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë midis Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe Kosovës, janë të paqëndrueshme.



