Komisioni i BE-së u ka kërkuar punonjësve të tij që ta fshijnë aplikacionin kinez TikTok sa më shpejt të jetë e mundur nga celularët dhe laptopët për shkak të rrezikut për sulme kibernetike dhe sigurinë e të dhënave.
Komisioni i BE-së u ndaloi punonjësve të tij të përdorin aplikacionin TikTok në telefonat celularë ose laptopët e punës. Sipas Brukselit punonjësit duhet ta fshijnë aplikacionin sa më shpejt të jetë e mundur, afati i fundit është data 15 mars. Arsyeja e këtij vendimi është mbrojtja e të dhënave dhe shqetësimi për aksesin e mundshëm të shtetit kinez në kompaninë kineze të TikTok, Bytedance. Një zëdhënës i TikTok-ut u shpreh “i zhgënjyer” duke thënë se vendimi bazohet në një “gjykim të gabuar”.
Komisioneri i BE-së për Industrinë, Thierry Breton, tha se ndalimi i aplikacionit TikTokdo të zbatohet gjithashtu edhe për pajisjet private të regjistruara pranë Komisionit. Ai theksoi se Bashkimi Evropian po i kushton vëmendje çështjes së sigurisë kibernetike. Masa synon të mbrojë Komisionin nga kërcënimet kibernetike. Breton nuk donte të komentonte ndonjë incident të mundshëm në lidhje me aplikacionin TikTok.
Kritika në mbarë botën
TikTok është në qendër të kritikave në mbarë botën për shkak të dyshimeve lidhur me privatësinë. Edhe autoritetet e SHBA-së e kanë ndaluar aplikacionin TikTok në telefonat celularë zyrtarë.




