Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i paralajmëroi vendet anëtare të BE-së se mungesa e vendimit pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të ndikojë në situatën në rajon, e veçanërisht në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse Maqedonia e Veriut nuk shpërblehet siç duhet, nuk do të ketë motiv që Serbia dhe Kosova të hynë në një dialog kuptimplotë për bashkëjetesën e ardhshme të tyre, sepse mënyra e vetme për ta bërë këtë është perspektiva evropiane”, tha Hahn.
Ai priti të mërkurën në Bruksel kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili u bëri thirrje vendeve të BE-së që të miratojnë hapjen e negociatave të pranimit me vendin e tij.



