Kur bëhet fjalë për konfliktin tregtar SHBA-Kinë, çdo lëvizje sado e vogël shkakton tronditje në bursa. Sipas njoftimeve të shtypit në muajin mars mund të ketë një takim të nivelit të lartë Kinë e SHBA.
Indeksi i Nikkei-t në Tokio ka një rritje prej 1 përqind, bursat e Shangait dhe Shenzenit tre përqind, dhe DAX-i në Frankfurt e filloi këtë javë me një rritje të vogël. Vëzhguesit e tregut flasin në mënyrë unanime se ekzistojnë shpresat për t’ i dhënë fund konfliktit tregtar të SHBA me Kinën. Shpresat i referohen një raporti të “Wall Street Journal”. Gazeta ekonomike pati njoftuar se duke patur parasysh përparimet e bëra, presidenti Donald Trump dhe kolegu i tij kinez Xi Jinping do të takohen në fund të marsit në Florida.
Në takimin e nivelit të lartë mund të nënshkruhet madje një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit të doganave. Kina, do të ulë taksat mbi importet amerikane si përshembull prodhimet bujqësore, kimike dhe automjetet, shkruan “Wall Street Journal” duke iu referuar njoftimeve nga të dyja palët. Si shpërblim SHBA mund të heqë taksat ndëshkuese mbi importet nga Kina. Pjesë e marrëveshjes mund të jetë edhe një deal që pritet të bëhet në nivelin e 18 miliardë dollarëve, për të furnizuar Kinën me LPG, gaz të lëngshëm. Megjithatë si nga qeveria amerikane ashtu edhe nga udhëheqja kineze ka kritika se kushtet për palën tjetër, janë shumë të favorshme.
SHBA bisedime me Kinën
Nuk ka më ultimatum
Së fundi ka pasur sinjale politike për bisedimet midis përfaqësuesve të qeverive amerikane dhe kineze. Ministri amerikan i financave Steven Mnuchin pati deklaruar se është duke u punuar aktualisht në një marrëveshje të detajuar tregtare, e cila do të duhet të ecë përpara javën e ardhshme. Për këtë arsye Trump hoqi dorë nga ultimatumi, sepse deri në fillim të marsit do të bihej dakord në çështjet për të cilat janë duke u bërë grindje prej muajsh. Tarifat më të larta mbi mallrat e importuara kineze në vlerë prej 200 miliardë dollarësh, nuk diskutohen më.



