Dje ka ndrrue jetë në moshë 93-vjeçare Ahmet Xhemë Berisha i Kullës së Madhe etno-historike të Berishajve, “njeriu i dy luftërave”: i Luftës së Parë Botërore – prej të cilës mban një plagë në trup dhe i Luftës së fundit të Kosovës – prej të cilës mban në shpirtin e tij edhe në amshim andrren-realitet, Lirinë e Pavarësinë e Kosovës. E thonë dhe vargjet për Kullën e Berishajve: “Te kjo kullë shkoi Pashko Vaso plot krenari / Me vargjet: “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” /… / Kjo kullë priti Ahmet Beg Koronicën…/ Aty ndejtën Shota me Azem Galicën / Hasan Beg Prishtina u prit si burrë shteti / Aty ndejti Ramush Hajredini e Ali Ahmeti /”…
Ahmet Xhemë Berisha i Kullës së Madhe të Berishajve ishte dhe mbetet njeri i sakrificave të mëdha, i punëve të mira, i kontributeve dinjitare, që edhe në kohë të vështira la emër të nderuem të mendjes,hapit, djersës e lapsit të tij. Dhe emri i tij ka domethënien shpjegimore e me realitet jetësor të tij: “i falënderuar”, ndër “ma të falënderuarit”…Ndaj dhe Ai po ikën në ditën e sodit për në amshim i falënderuar për të mirat e mirësitë e tij në këtë botë, në të gjitha kohërat, në të gjithë jetën e veprimtarinë e tij.
Ahmet Xhemë Berisha e ka pasë babagjyshin e tij, Isuf Rexhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e të Pejës pjesmarrës në luftëra për liri e pavarësi kombëtare nga beteja e Plavë-Gucisë kundër 7 krajlive të mëdha të kohës në dhjetor 1879-janar 1880, ishte në Lidhjen e Pejës të Haxhi Zekë Byberit dhe në Kuvendin e Junikut, ishte në Kryengritjen e Përgjithshme të Kosovës (nga Tropoja në Shkup) në vitin 1912, i cili mori dhe plagë në trup në Gjakovë në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si e thotë dhe kanga popullore: – Kush qet pushkë midis Çarshisë / Dy bijtë e Rexhë Alisë…/. Edhe Zeqir Halil Isuf Rexha i Berishajve ishte njeri i kuvendeve e luftërave, i dijes e pushkës, zotni e me pasuni, që iku nga kjo botë me tri plagë të luftërave, në kambë e në gjoksin e tij.



