Bundesrati miratoi rregullat e reja të pandemisë. Ato parashikojnë lehtësime për të vaksinuarit dhe të shëruarit që kanë qenë në kontakt me të infektuarit.
Pas Bundestagut, edhe Bundesrati i miratoi rregullat e reja të pandemisë. Ndër të tjera, ato parashikojnë shkurtimin e karantinës nga 14 në 10 ditë për të infektuarit dhe personat që kanë pasur kontakt me ta. Në rast se personat e kontaktit janë vaksinuar tri herë, ose janë shëruar, përkatësisht e kanë marrë vaksinën e dytë brenda tre muajve më të fundit, ata nuk bëjnë karantinë. Për fëmijët, të rinjtë dhe të punësuarit në sektorin e shërbimit ka rregulla të veçanta. Rregullorja e miratuar duhet të jetësohet në rregulloret e secilit land.
Shkurtimi i karantinës bëhet në mënyrë që të garantohet funksionimi i pandërprerë i pikave të rëndësishme për furnizimin e shoqërisë, si spitalet, transporti, dyqanet, furnizuesit e energjisë. Numri i lartë i infektimeve për shkak të Omikronit, i cili po përhapet me shpejtësi të madhe në Gjermani, ka filluar që tani që të zvogëlojë stafin në shumë kompani. Ndërmarrja e qarkullimit urban në Berlin (BVG) për shembull, si pasojë e karantinimit të shumë shoferëve, që nga e shtuna do të vërë në përdorim më pak autobuzë.

Ministri Federal i Shëndetësisë Lauterbach
Thirrje për vaksinim
Në fjalimin e tij të parë në Këshillin Federal, ministri i ri _Shëndetësisë, socialdemokrati Karl Lauterbach, u bëri thirrje sërish të gjithë qytetarëve që të vaksinohen: “Ne i kemi mjetet për ta reduktuar në një masë të madhe pandeminë qysh brenda këtij viti”. Lauterbach tha se ndërkohë ka porositur edhe një kontingjent me vaksinën e inaktivizuar Novavax. Dërgesa e parë me 1.75 milionë doza vjen më 21 shkurt, bëri të ditur ministri.



