Grupi i 20 vendeve më të industrializuara të botës, u zotua të dielën të mos kursejë asnjë përpjekje për ta bërë gjerësisht të disponueshme në të gjithë botën, vaksinën kundër COVID-19-s. “Ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të siguruar që qasja ndaj vaksinave, testeve dhe trajtimin kundër COVID-19-s të jetë e përballueshme dhe e të barabartë për të gjithë njerëzit“, thuhej në komunikatën e fundit të grupit të dielën.
Sot ishte dita e dytë dhe e fundit e takimit virtual të vendeve të Grupit të 20-s që u mbajt në Arabinë Saudite. Presidenti amerikan Donald Trump, i cili nuk ka bërë shumë paraqitje publike që nga humbja në zgjedhjet presidenciale në fillim të këtij muaji, morri pjesë në takimin e së dielën, sikurse ditën e shtunë.
Pandemia dhe recesioni ekonomik dominuan ditën e parë të takimit dy-ditor virtual të 20 vendeve më të industrializuara të botës dhe atyre në zhvillim. Udhëheqësit e G-20-s janë të shqetësuar se pandemia do të zgjerojë më tej hendekun mes të pasurve e të varfërve. Për të luftuar atë, Bashkimi Evropian ka kërkuar 4.5 miliardë dollarësh fonde për një projekt global që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë përshpejton prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave, testeve dhe trajtimeve. Kancelarja gjermane Angela Merkel premtoi rreth 593 milionë dollarë. Presidenti rus Vladimir Putin ofroi vaksinën e prodhuar nga vendi i tij Sputnik V ndërsa Kina ofroi të bashkëpunojë për prodhimin e vaksinave. Të shtunën, ndërsa mbahej fjala e hapjes në takimin e nivelit të lartë, zoti Trump shkruante në Twitter për manipulime me votat në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në SHBA, por pa ofruar fakte dhe më pas u nis për të luajtur golf në klubin e tij në Virxhinian veriore.



