Riviera Shqiptare është një nga brigjet e fundit te paprekur ne Mesdheun Europian. Ata që duan të përjetojnë origjinalitetin e tyre duhet të nxitojnë, sepse tashmë ka plane të mëdha për këtë zonë. Kështu shkruan e përditshmja gjermane Die Welt në një artikull të fundit për vendin tonë, gjatë të cilës përshkruan Rivierën dhe Alpet shqiptare.
“Sapo kalon Vlorën, peizazhi bëhet më tërheqës, ndërsa rruga e bregdetit më e gjarpëruar. Edhe këtë herë, përpara shfaqet pamja e gjireve të vegjël, që të joshin me plazhet me guralecë me ujëra të kaltra dhe të kristalta. Këtu gjendet kufiri mes Adriatikut dhe Jonit. Pas udhëtimit nëpër rrugën e ngushtë gjarpëruese mbërrin në Qafën e Llogarasë. Pamja nga kjo lartësi mbi 1,000 metra mbi nivelin e detit është mahnitëse. Përgjatë gjithë gjatësisë së rivierës shqiptare shtrihen ullishte dhe plantacione agrumesh, që formojnë një peizazh mbresëlënës mbi plazhet e mrekullueshëm me zall.”- shkruajnë gjermanët.
Gazetarit të “Die Welt” i ka bërë përshtypje edhe shtimi i ndërtimeve, sidomos ato jo legale, ku sa më të reja janë ndërtimet, aq më të gjata janë ato. Por kur jemi te riviera shqiptare, ka fshatra që thuajse janë të paeksploruara si fshati i vjetër Lukova me një kishë të vogël dhe mezi gjen barkë lundrimi dhe ku jo pak familje flasin greqisht. Më tej ndodhet Dhërmiu, një fshat piktoresk ku ndodhen edhe shumë hotele me pamje direkt nga deti. Krahas këtyre fshatrave përmendet edhe Vunoja, plazhi i Gjipes, Himara si vendbanimi më i madh i këtij rajoni, etj.




