Süddeutsche Zeitung i referohet takimit të komisionit të Bundestagut për Europën. Merkel thuhet ka refuzuar aty kërkesën e Komisionit Europian për hapje të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas një raportimi të gazetës së njohur gjermane, Süddeutsche Zeitung” të premten (07.06) kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka bërë një refuzim të qartë dëshirës së Komisionit Europian për hapje të shpejtë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këtë ajo e ka thënë në një seancë të komisionit parlamentar të Bundestagut për Europën, sipas informacioneve të “Süddeutsche Zeitung”. Merkel ka bërë të qartë, se një vendim për këtë pritet më së hershmi në tetor.
Me këtë kancelarja del qartazi kundër partnerit në koalicion, Partisë Socialdemokrate, SPD, që përkrah votimin pro për hapjen e negociatave në Këshillin e BE më 18 qershor. Ministri gjerman i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (SPD) është një nga politikanët gjermanë që është angazhuar fort javët e fundit për hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit. Ai ka theksuar në intervista të ndryshme, se angazhimi i Shqipërisë për reforma duhet të vlerësohet.





