Hipertensioni dhe diabeti, së bashku me duhanpirjen janë faktorë madhorë risku për sëmundjet e qarkullimit të gjakut, të cilat nga ana e tyre përbëjnë shkaktarin kryesor të vdekjeve në popullsinë e Shqipërisë, raporton INSTAT në botimin “Shqipëria në shifra 2018”. Për vitin 2018 prevalenca për hipertensionin është 870 për 10 mijë banorë dhe për diabetin 274 për 10 mijë banorë.
Të dhënat e studimit demografik dhe shëndetësor në Shqipëri (ADHS), në periudhën 2017- 2018, tregojnë se 5,0 % e femrave dhe 36,0 % e meshkujve të moshës 15-49 vjeç ishin duhanpirës. Në vitin 2018, të dhënat e konsumit të alkoolit tregojnë se më shumë se 1 në 4 femra (28,0 %) dhe 6 në 10 meshkuj(60,0 %), të moshës 15-49 vjeç kanë konsumuar alkool. Në vitin 2018, 36,0 % e femrave dhe 14,0 % e meshkujve të moshës 15-49 vjeç kanë konsumuar numrin e rekomanduar të porcioneve ditore për konsumin e frutave.
Në vitin 2018 u vërejt se konsumi i rekomanduar i perimeve është i ulët si tek meshkujt dhe tek femrat, pavarësisht moshës, vendbanimit, nivelit të arsimimit apo pasurisë familjare (6,8 % tek femrat dhe 2,6 % te meshkujt).




