Shqipëria nisi dje në Bruksel takimet me Komisionin Europian në kuadër të procesit të vlerësimit të të gjithë kuadrit legjislativ shqiptar, sipas drejtimeve që lidhen me 35 kapitujt e bisedimeve dhe përputhshmërinë e tij me atë të BE-së. Siç dhe kanë shpjeguar përfaqësuesë të lartë të BE-së nga “cilësia e këtij procesi do të varet dhe ritmi me të cilin do të ecin më pas bisedimet për anëtarësim”.
Delegacioni shqiptar, në përbërje të të cilit kishte përfaqësuesë nga institucione të ndryshme të vendit, kryesohej nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Në fjalën e saj në fillim të takimit ajo theksoi se “pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë tryezë do të rrisë presionin pozitiv për të ecur më shpejt në rrugën e reformave dhe për të rritur përgjegjshmërinë e Qeverisë në drejtimin e këtyre proceseve. Nga ana tjetër Komisioni Europian do te ketë më shumë kontroll në proceset e reformave, nga ana ligjore dhe politike”.
Takimi i cili vijon edhe nesër është i pari i një serie takimesh që do të zhvillohen me Komisionin Europian për kapituj të ndryshëm të negociatave të anëtarësimit. Ai kishte në qendër “Kapitullin 23” të negociatave të anëtarësimit “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, i cili do të jetë dhe kapitulli me të cilin do të nisin bisedimet për anëtarësim.



